Lideri i shtetit diktatorial Kim Jong Un është shprehur para mediave vendase, se raketa balistike ndërkontinentale, ishte një dhuratë për ata që i quajti bastardë amerikanë, në 241 vjetorin e tyre të Pavarësisë.

 

Udhëheqësi i Koresë së Veriut tronditi SHBA-në pas testimit të raketës, që për nga potenciali mund të arrijë deri në Alaskë.

 

Kim Joung Un i ka nxitur shkencëtarët e tij bërthamorë që të dërgojnë më shpesh dhurata të mëdha dhe të vogla, në formën e testeve raketore dhe bërthamore.

 

Më herët, sekretari amerikan i shtetit Rex Tilerson, reagoi duke e quajtur testin, një përshkallëzim të konfliktit.  Ai theksoi se Uashingtoni nuk do të pranojë kurrë që Koreja e Veriut të ketë armë bërthamore.

 

SHBA dhe Koreja e Jugut ndërkohe, kanë zhvilluar një stërvitje me raketa balistike në detin e Japonisë.  Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Ji tha se aleatët duhej të demonstronin qëndrimin e mbrojtjes nga raketat me veprim, jo vetëm me një deklaratë. Nga ana tjetër, Kina dhe Rusia i kanë kërkuar Koresë se Veriut që të pezullojë programin e armëve, në këmbim të ndalimit të stërvitjeve ushtarake SHBA-Kore e Jugut.

 

Ekspertët thonë se Kim Jong Un është tani më i lidhur me fuqinë ushtarake të Koresë së Veriut sesa babai ose gjyshi i tij, themeluesi i vendit Kim Il-Sung.

 

Ata besojnë se retorika dhe veprimet e Kim janë një strategji e përpiluar me kujdes e përpikmëri, e projektuar kryesisht për mbajtjen e pushtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *