Poezitë e pavdekshme të Lasgush Poradecit, si “Më zu një mall”, “Malli”, “U patmë nisur”, “Vallja e Yjeve”, “Ku shtrohet vala” dhe “Poradeci”, janë bërë burim frymëzimi për kantautorin pogradecar Xhon Jesku, i cili ka krijuar gjashtë këngë të reja të mbështetura në lirikat e poetit të madh.
Sipas vetë artistit, kjo është një punë e vështirë dhe një përgjegjësi e madhe, pasi kthimi i vargjeve të Lasgushit në tinguj kërkon ndjeshmëri artistike dhe respekt maksimal për veprën e lirikut të madh shqiptar.
“Ka qenë një përgjegjësi e madhe, pasi duhej me patjetër të inspiroheshe dhe të shkruaje mbi vargjet e tij dhe më pas t’i përshtasje në këngë“, shprehet Xhon Jesku.
Pjesë e koncertit “Valsi i Yjeve” ishte edhe vajza e Lasgush Poradecit, Maria Gusho, e cila e ndoqi aktivitetin mes emocionesh të forta.
“Sa herë përmendet emri i babait tim, është kulmi i lumturisë. Do të kalojnë vite dhe emri i tij do të mbetet i pavdekshëm“, tha Maria Gusho.
Një nga poezitë e përzgjedhura, “Poradeci”, është punuar me synimin që të shndërrohet në himnin e qytetit dhe të bëhet pjesë e aktiviteteve dhe eventeve të ndryshme kulturore të Pogradecit. Kjo nismë synon të afrojë brezat e rinj me trashëgiminë poetike të Lasgush Poradecit dhe ta mbajë të gjallë frymën e tij artistike në jetën kulturore të qytetit.
/vizionplus.tv





