Të gjithë atyre që iu është pezulluar patenta për tre vjet apo iu është bllokuar mjeti pse nuk kanë zbatuar masat anti-COVID, Policia e Shtetit njoftoi një lehtësim.

 

Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj tha në një dalje për mediat se kjo masë nuk do të jetë më në fuqi për tre vjet, por për një periudhë 30-ditore.

 

“Të gjitha dënimet administrative të vendosura me pezullim të lejeve të drejtimit  të pezulluara për  një  periudhë  trevjeçare apo të shoqëruara dhe me bllokim të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij, në zbatim të Aktit Normativ zëvendësohen me dënimin me masë administrative me gjobë, me pezullimin e lejes së drejtimit për 30 ditë dhe me masën administrative plotësuese të bllokimit të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij për një periudhë prej 30 ditësh. Referuar nenit 2 të Aktit Normativ, masat administrative të vendosura nga autoritetet shtetërore, kryesisht Policia Rrugore, për heqjen e lejes së drejtimit apo masat e tjera të bllokimit të automjeteve apo lejes së qarkullimit, humbasin fuqi, nëse nga periudha e marrjes së masave është përmbushur afati prej 30 ditësh. Njoftojmë qytetarët shqiptarë që kanë pasur një dënim administrativ të tillë që në zbatim të Aktit Normativ, të drejtohen në strukturat respektive të Policisë Rrugore (OASH), ku kanë marrë vendimin e dënimit administrativ për pezullimin e lejes së drejtimit apo bllokimin e mjetit, për të kryer procedurat përkatëse të tërheqjes së tyre, nëse kanë plotësuar afatin 30 ditor.”

 

Thirrja e Dervishajt është të zbatohen masat e reja anti-COVID, që hyjnë në fuqi nga 1 qershori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *