E premte, 9 Tetor 2026 Det i Trazuar deri në 00:45 Në vijim ora 00:45: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

PS e vendosur për “Territorialen”, Malaj për Vizion Plus: Do të përmirësojë shërbimet për qytetarët!

Reforma e re territoriale vijon të jetë në qendër të debatit politik, teksa mazhoranca është mbledhur në Kuvend për ta çuar për votim, pas një seance maratonë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, deputeti socialist Erion Malaj argumentoi se riorganizimi synon të përmirësojë shërbimet për qytetarët, të rrisë funksionalitetin e bashkive dhe t’i përgatisë ato për procesin e integrimit evropian.

Reklamë

Malaj u ndal edhe te kundërshtimet e opozitës, mungesa e konsensusit dhe krijimi i 77 qyteteve si njësi të reja administrative, duke theksuar se përfaqësimi i tyre do të garantohet përmes këshillave bashkiakë dhe nënkryetarëve të bashkive.

INTERVISTA E PLOTË:

Reklamë

Përse jeni të bindur përfundimisht që kjo hartë i përmirëson shërbimet për qytetarët?

Erion Malaj: Sigurisht që kemi qenë të qartë që në fillim, sepse besojmë se me këtë reformë territoriale është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe të gjitha qëllimet kanë qenë pikërisht ato për t’i dhënë një funksionalitet akoma edhe më të madh bashkive. Shumë bashki, të cilat sot që flasim nuk e kanë të mundur që t’i ushtrojnë këto funksionalitete, reforma është bërë pikërisht për t’i ofruar qytetarëve një shërbim më të mirë dhe për të qenë të gatshme për atë proces të rëndësishëm që ne kemi, që është procesi i integrimit evropian.

Atëherë përse jeni të bindur që një qytetar që banon 20 apo 30 kilometra larg qendrës së re të bashkisë së madhe do t’i marrë shërbimet që i merrte deri dje pranë banesës së tij? Pse do të jetë më mirë? Si do të jetë e mundur?

Erion Malaj: Ne kemi parë tre indekse që janë: funksionaliteti, masa urbane dhe ekonomia e bashkive. Në fakt këto bashki që kemi aktualisht në shumicën e rasteve nuk arrijnë që ta ofrojnë këtë shërbim ndaj qytetarëve, dhe të qenit pjesë e bashkive më të mëdha patjetër që do t’ia mundësojë qytetarëve që t’u shërbehet më mirë. Ky është qëllimi parësor, por mos të harrojmë edhe diçka tjetër, që këto bashki do të kenë një funksionalitet edhe më të rëndësishëm dhe më të gjerë, sepse sigurisht 70% e legjislacionit evropian kërkon që të zbatohet në bashki. Që do të thotë pikërisht duke i bashkuar këto bashki në një bashki më të madhe do të jetë e mundur që të ndiqen të gjitha këto reforma në cilësinë dhe në mënyrën e duhur. Pra, qëllimi i vetëm i Partisë Socialiste nga fillimi i kësaj reforme ka qenë ai që të çojë një hap më tej atë që u bë me reformën e vitit 2014, e cila trefishoi dhe katërfishoi të ardhurat nga taksat vendore të bashkive. Ndërsa tani që flasim nuk kemi më të njëjtat sfida, jemi përballë sfidave të reja dhe sigurisht që besojmë që atë çka bashkitë në realitetin e vogël shoqëror që kanë sot nuk mund t’ia ofrojnë qytetarëve si shërbim, e kemi provuar këtë gjë të qenit në një bashki më të madhe do ta bëjë këtë kudo.

Do të preken nga kjo reformë, nga ky rivizatim i hartës elektorale rreth 225 banorë, njerëz në Shqipëri që do të shkojnë e do të jenë si të thuash pjesë e bashkive të reja më të mëdha. Opozita thotë se nuk është marrë mendimi i tyre, nuk ka qenë proces demokratik, nuk i keni pyetur.

Erion Malaj: Të gjitha palët janë në të drejtën e tyre për të thënë atë që mendojnë. Unë di të thashë që kanë qenë të gjitha përpjekjet nga mazhoranca që opozita të jetë pjesë e gjithçkaje që është bërë gjatë procesit të kësaj reforme, që nga dëgjesat publike të transmetuara live e të bëra në çdo qark me të gjithë qytetarët ku gjithsecili ka shprehur mendimin e tij. Por njëkohësisht ajo që vlen për t’u theksuar është fakti që mazhoranca ka qenë aty për të pasur një konsensus, i cili fatkeqësisht nuk është arritur. Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të ndalonim, sepse kjo është një reformë me rëndësi të veçantë dhe që ka ato qëllime që unë përmenda pak më parë, për të cilat ne kemi marrë votën e qytetarëve dhe kemi marrë zotimin për t’i çuar përpara. Prandaj po, më vjen keq që nuk patëm një konsensus, por në të njëjtën kohë ne na duhet si mazhorancë që të vazhdojmë më tej dhe të përmbyllim këtë proces.

Opozita  thotë se krijimi i 77 qyteteve si njësi tjetër administrative është veçse një artificë sipas tyre për të zbutur politikisht këtë shkrirje që po u bëhet 15 bashkive. Përgjigja juaj?

Erion Malaj: Po jap dy arsye shumë të thjeshta, sepse qytetet do të kenë përfaqësuesit e tyre në këshillin bashkiak që do të jetë një numër proporcional me popullsinë që kanë, dhe e dytë, çdo qytet do të ketë një nënkryetar bashkie në bashkinë e madhe. Kjo do të thotë që përfaqësimi i tyre do të jetë dinjitoz, do të jetë shumë më funksional dhe njëkohësisht nuk ka asnjë qëllim artificial përveçse për t’i dhënë qytetarëve atë që thashë më parë, një shërbim të cilin sot ose e kanë të munguar ose e kanë të pjesshëm.

Çfarë do të ndodhë me dy deputetët që e kanë shprehur hapur vullnetin që nuk pajtohen me qëndrimin e grupit, Braçe dhe Sina ?

Erjon Malaj: Qëndrimet e deputetëve janë në të drejtën e secilit deputet të Kuvendit që t’i mbajë. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka qenë i qartë kur ka marrë një vendim se është pro kësaj reforme për ta çuar deri në fund. Unë nuk mund të komentoj asnjë veprim apo asnjë mendim që kanë kolegët e mi të nderuar, gjithsecili është në të drejtën e vet, kur jemi të bindur që do ta çojmë atë përpara dhe i kemi votat për ta votuar.

Dhe kjo reformë do të votohet sonte në mesnatë apo deri në orët e para të mëngjesit. Si e parashikoni ecurinë?

Erion Malaj: Është një listë e gjatë folësish akoma e regjistruar dhe do të duhet që të shohim se si do të procedojmë. Sigurisht ne do të jemi këtu për të përmbyllur procesin. E kemi këtë qëllim madhor që të votojmë këtë reformë të rëndësishme për vendin, në mënyrë që pastaj të vazhdojmë me hapa të mëtejshëm.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.