Subscribe

Parashikime tronditëse për motin në Shqipëri. Shërbimet meteorologjike në vend e Europë japin alarmin. Dita e fundit e këtij nëntori pritet të shënojë fillimin e reshjeve të dendura në të gjithë Ballkanin, e Shqipëria në këtë hartë shënjohet si një nga vendet më të rrezikuara.

 

Moti do të përkeqësohet në të gjithë vendin, por qarqet më të rrezikuara janë Fieri dhe Vlora, ku parashikohen përmbytje në pjesën e parë të ditës së shtunë. Masat kanë nisur që sot: Vlora ka ndaluar për tre ditë lundrimin e çdo mjeti në det.

 

Sipas Institutit të Gjeoshkencës, reshjet e shiut që do të nisin më 30 nëntor dhe do te bien me intensitet më të lartë ditët e para të dhjetorit. Mundësia e përmbytjeve është e madhe, e sidomos në basenet e lumenjve Vjose dhe Seman. Edhe lumi Shkumbin mund të sjelle përmbytje përgjatë fundit të ditës së premte.

 

Shërbimet meteorologjike gjermane, parashikojnë që në pjesët e sipërme të Gjirokastrës, Beratit dhe Elbasanit përmbytjet mund të ndodhin që të premten.

 

Sipas parashikimeve, reshjet maksimale i kalojnë vlerat e 100 mm në 24 orë. E nga llogaritjet paraprake këto reshje priten të sjellin edhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në qytetet kryesore Tiranë, Lezhë, Durrës, Korçë.

 

Alarmi vjen edhe nga Emergjencat Civile në Shqipëri, që me anë të një njoftimi udhëzojnë në mënyrë të veçantë të gjithë prefektët e qarqeve dhe drejtuesit e bashkive për marrjen e masave urgjente ne mënyre që të sigurohen kushtet për jetën normale të qytetarëve, për më shumë siguri e për mbajtjen e akseve rrugore të hapura për qarkullimin e mjeteve, pavarësisht se mund të shënohen rrëshqitje dheu.

 

Probleme në vend mund të krijohen edhe me energjinë elektrike dhe furnizim me ujë. E më rrezik duket se përbëjnë hidrovoret.

 

Reja e zezë ka rënë mbi Shqipërinë që vetëm në harkun kohor të tre ditëve u prek nga dy tërmete. E kjo situatë e përkeqësimit të motit mendohet të zgjasë deri më 4 dhjetor.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *