Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në një familje durrsake, anëtarët e të cilës u shprehën se dikur kanë qenë mbështetës të PS, por sot janë të zhgënjyer prej saj.

Lideri demokrat tha se zotimet e bëra nga PD janë pjesë e një plani për të cilin është punuar për dy vite, ndërsa shtoi se qytetarët e kanë ndryshimin në dorë.

“Kam tre fëmijë, dy në Itali emigrantë. Kam vite që jam pjesë e PS, po me kontribut. Votues dhe anëtar. Kam kontribuuar jashtë mase. U zhgënjeva jashtë mase”, tha kryefamiljari.

Sipas Bashës, duke votuar PD në 25 prill, qytetarët do të votojnë ndryshimin. Sakaq, premtoi se nëse vjen në pushtet dhe nuk përmbish premtimet e bëra, nuk do ta kërkojë më votën.

“Unë e kam kërkuar prej 2013 ndjesën, do e përsëris prapë sot. Problemin e legalizimeve duhet ta kishim mbyllur ne, nuk e mbyllëm. Ky erdhi me premtim për legalizime falas, kjo historia jote është ndër mijëra histori në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë. Njësoj si me premtimet e tjera nuk e mbajti dhe për legalizimet. Më 25 prill është dita juaj. Ne kemi ardhur para shqiptarëve me plan pune jo premtime boshe. Tullumbacet elektorale e treguan se ku e çuan vendin. Edhe po të jesh anëtar i PS dhe po të vendosësh të vazhdosh me PS, një gjë të them duke votuar për ndryshimin më 25 prill i ke shërbyer familjes tënde, i ke shërbyer Shqipërisë. Angazhimet që kemi, zotimet që kemi dhe të gjitha ato që i kemi shpallur janë pjesë e një plani, nuk janë bërë dy muaj para fushate. Kemi dy vite që punojmë për çështjen e pronave, legalizimet për t’i dhënë zgjidhje kësaj plage. Ne kemi në dorë të bëjmë e zbatojmë planin, ju e keni në dorë ndryshimin me votë. Do të takohemi prapë dhe pas 4 vitesh nëse këto premtime nuk janë realitet, nuk vij ta kërkoj më votën”, deklaroi Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *