E hënë, 5 Tetor 2026 Zilia deri në 01:45 Në vijim ora 01:45: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

Hyn në fuqi kodi i ri elektoral/ Skënderi: Kuvendi t’i hapë rrugë riformatimit të KQZ

Sot hynë në fuqi ndryshimet në kodin zgjedhor që reflektojnë çështjet e dakortësuara mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike e aleates së saj LSI në marrëveshjen e 5 qershorit. 

Reklamë

Risia e parë e këtyre ndryshimeve është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe anëtari aktual i KQZ Bledar Skënderi shpjegon formulën e institucionit që do të përgatisë zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

BLEDAR SKENDERI

ANETAR I KQZ

 “Do të jetë një komisioner, i cili do të jetë në rolin e një drejtori teknik që do të merret thjesht me çështjen e menaxhimit të zgjedhjeve. Do të jetë një ndihmës komisioner, i cili i ka të përcaktuara qartë detyrat e do të merret kryesisht me implementimin e teknologjisë në zgjedhje dhe do të kemi ndërtimin e dy trupave të përbëra nga 5 anëtarë. Trupa e parë quhet komisioni rregullator dhe kemi Komisionin e ankesave, KAS-in, këto dy trupa kanë të dy nga 5 anëtarë dhe rregullatori është me mandate 5-vjeçar ndërsa KAS-I 9 vjeçar.”

Skënderi ve në dukje se është e rëndësishme ngritja sa më shpejt e KQZ për të garantuar zbatimin e teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme të pranverës.

“Unë besoj që është detyrë primare e kuvendit që sapo të nisë sesioni të merren urgjent me riformatimin e KQZ së re.“

Sipas Skënderit urgjent është edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor për të reflektuar ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave, duke numëruar çështjet që duhet të marrin zgjidhje.

“Duhen ndryshime të tjera në kodin zgjedhor që të përcaktojnë në mënyrë të detajuar të gjitha procedurat se si do të funksionojë procesi I votimit; do të hapen listat 100%, do të ngelet një pjesë e listës e hapur apo e mbyllur; do të ngelet votimi me qarqe apo do të bëhen disa rajone më të mëdha se qarqet aktuale; do të detajohet sa deputetë nga lista ka të drejtë të përzgjedhë një votues. Pra ka shumë gjëra urgjente që ka nevojë që komisioni I reformës zgjedhore të ulet e besoj me një lloj akordi politik mes palëve ta venë para këtë proces.”

Skënderi dhe 4 anëtarët e tjerë të KQZ do të qëndrojnë në detyrë edhe pak javë deri në zgjedhjen e trupës së re, dhe përballë akuzave të opozitës për punën e këtij institucioni veçanërisht gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2019, Skënderi thekson se KQZ garantoi administrim të rregullt të procesit elektoral.

“Përplasjet politike në terren e kanë përcjellë ngarkesën negative në tavolinën e KQZ. Por KQZ ndër vite e ka menaxhuar me sukses dhe pjesa e administrimit të zgjedhjeve është bërë në mënyrë shumë të mirë.”  

Ndryshimet ne kodin zgjedhor sjellin 3 risi kryesore; riformatimin e KQZ, identifikimin elektronik të zgjedhësve dhe votën e emigrantëve, e cila ka pak gjasë të realizohet. Por përtej këtyre elementeve, si rezultat i marrëveshjes së 5 qershorit edhe pse dogjën mandatet, PD e LSI kanë të njëjtat të drejta si të ishin parti parlamentare, duke pasur përfaqësuesit e tyre në KQZ dhe në të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore.

Më shumë video

Reklamë