Hapet Unaza e Madhe e Tiranës, vepra më e madhe e infrastrukturës do të çlirojë qarkullimin në kryeqytet

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inauguruan sot hapjen e Unazës së Madhe të Tiranës, me një gjatësi prej 29 kilometrash që lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse kombëtare.
Unaza e madhe është projekti më i madh infrastrukturor në kryeqytet, i finalizuar brenda afateve dhe do të çlirojë Tiranën nga trafiku si dhe do të ketë një impakt të rëndësishëm në ekonomi.
Kjo unazë do të jetë në shërbim të të gjithë automjeteve, të cilat aksesojnë Tiranën nga të gjitha hyrjet jashtë qytetit, si nga Rruga e Arbrit, ashtu edhe nga rruga Tiranë-Elbasan apo Tiranë-Durrës.
“Duke nisur nga sot, unaza është e gjitha e aksesueshme. Pjesa e unazës Veriore ka qenë një nga pjesët më të vështira të kësaj vepre, duke pasur parasysh që kemi patur një zonë të banuar dhe na është dashur të punojmë e të sposotojjmë mbi 654 ndërtesa. Ndërkohë tani është plotësisht e përfunduar. Kemi akoma disa detaje të vogla që mbarojnë brenda janarit, por ndërkohë kini parasysh që janë të gjitha të aksesueshme nga pika të ndryshme të autostradës. Këtu jemi në lotin 1, që është më i komplikuari, pasi kemi pasur zbulimin e një burimi nëntokësor uji që e kemi kanalizuar dhe nga ana tjetër këtu kemi dhe pikëprerjen me hekurudhën Tiranë – Durrës. Kështu që kjo është një nyje që do vazhdoje të zhvillohet. E gjithë unaza tashmë që është e kategorisë A urbane, i gjithë mobilimi është urban, ndriçimi, mbikalimet, zonat e gjelbërta e stola. Trafiku i dhjetorit është i shtuara pasi kemi dhe një fluks të madh, fluks që shikojmë në daljen e Elbasanit, janë dhe shumë makina me qera në këto momente dhe ajo do jetë sfida e rradhës, by-passi i Elbasanit për të cilin studimin e kemi gati dhe tashmë kemi nisur fazën e negociatës ”, – u shpreh zëvendëskryeministrja Balluku.
Unaza e Madhe e Tiranës, krahas korsive të shpejtësisë së automjeteve, ka pjesë të projektit edhe elementët urbanë, si ndriçim dhe gjelbërim, duke qenë se kalon përmes zonave të banuara. Për këmbësorët do të ketë gjithashtu hapësira të dedikuara.
Projekti është financuar plotësisht nga fondet e buxhetit të shtetit, ndërsa kostoja totale sipas autoritetit rrugor arriti në 44.3 miliardë lekë.




