Goditet rrjeti i prostitucionit në Durrës, arrestohen dy kolumbiane 24 vjeçare! Shpallet në kërkim organizatori

Pas tre javësh hetime intensive me metoda proaktive, Policia e Durrësit finalizoi operacionin e koduar “Storm 9”, duke goditur një rrjet kriminal që merrej me trafikimin e femrave dhe shfrytëzimin e tyre për prostitucion.
Në kuadër të këtij operacioni u identifikua dhe u shpall në kërkim një shtetas kolumbian, D. G., 28 vjeç, i dyshuar si organizator i kësaj veprimtarie kriminale. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka trafikuar shtetase kolumbiane në Shqipëri, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion.
Policia arrestoi në flagrancë dy shtetase kolumbiane, M. A. dhe Y. C., të dyja 24 vjeçe, të cilat kishin marrë me qira një apartament në lagjen nr. 18 të qytetit të Durrësit, ku ushtronin veprimtari të jashtëligjshme, si prostitucion dhe shitje të lëndëve narkotike.
Po ashtu, u procedua penalisht pronari i apartamentit, V. R., 45 vjeç, për “Fshehje të të ardhurave” dhe “Moskallëzim të krimit”. Procedim penal nisi edhe ndaj tre shtetasve të tjerë, M. S., E. B. dhe A. H., për veprën penale të “Prostitucionit”.
Gjatë kontrollit në apartamentin e përdorur për aktivitetin kriminal, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar si cannabis sativa, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, pesë aparate celularë dhe pasaportat e dy shtetaseve të arrestuara.
Vijojnë hetimet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.
/vizionplus.tv




