E diel, 4 Tetor 2026 Film TV deri në 23:59 Në vijim ora 00:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Tre në kërkim për vrasjen në Vlorë, dhunuan për vdekje një 63-vjeçar pas konfliktit për motive të dobëta

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e së premtes në Vlorë, ku humbi jetën 63-vjeçari Ismail Aliaj.

Sipas burimeve nga Policia, konflikti që çoi në këtë ngjarje tragjike dyshohet të ketë nisur disa ditë më parë, pas një debati në rrjetet sociale.

Reklamë

Mësohet se palët ishin përfshirë fillimisht në një përplasje verbale, e cila ka vijuar dhe ka degraduar në dhunë fizike.

Viktima, së bashku me djalin e tij, 24-vjeçar, i cili mbeti i plagosur lehtë, kishin shkuar në rrugën “Gjergj Araniti” për t’u përballur me personin me të cilin kishin konflikt, me qëllim sqarimin e situatës.

Por debatet mes tyre janë përshkallëzuar në fyerje dhe përplasje fizike. Në konflikt janë përfshirë edhe dy persona të tjerë, duke bërë që situata të dalë jashtë kontrollit.

Tre të rinjtë Anxhelo Ceci, 31 vjeç, Xhafer Ngucaj, 34 vjeç dhe Eni Hysaj, 23 vjeç kanë  goditur 63-vjeçarin me grushte dhe shkelma, duke i shkaktuar rrëzimin në tokë.

Si pasojë e goditjeve, por edhe për shkak të problemeve të mëparshme shëndetësore, ai ka ndërruar jetë. Ndërkohë, djali i viktimës ka marrë ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas ngjarjes, Anxhelo Ceci, Xhafer Ngucaj, dhe Eni Hysaj, janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjet dhe janë shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

Policia sqaron gjithashtu se djegia e automjetit të viktimës, e ndodhur rreth një muaj më parë, nuk ka lidhje me këtë konflikt.

Vazhdo të lexosh

Reklamë