Një vit pasi u arrestua, Erion Veliaj do nisë betejën në Gjykatën e Posaçme. Gjyqtarja Etleva Deda vendosi të kalojë për gjykim, pas 11 seancash të shtyra, dosjen ku e përfshirë është gruaja e tij, Ajola Xoxa, ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka dhe disa biznesmenë.
Kryetari i bashkisë së Tiranës akuzohet për korrupsion pasiv në 13 episode të ndryshme, pastrim parash, shpërdorim detyre, mosdeklarim të ardhurash në bashkëpunim.
Sipas organit të akuzës që përfaqësohet nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado ai shfrytzoi postin e qytetarit të parë të kryeqytetit për t’i krijuar përfitime gruas së tij përmes një skeme korruptive të ndërlikuar.
E thënë thjesht, Ajola Xoxa kishte krijuar disa organizata jo fitimpruruëse duke futur në lojë persona të tretë për të përfituar fonde nga bashkia e drejtuar nga burri i saj.
Rezultati sipas SPAK është se përfituesi fundor i këtyre të ardhurave ishte vetë Ajola Xoxa dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
Organizatat njëherësh fitonin fonde dhe garantonin pastrim parash ndërsa disa kompani duke marrë leje ndërtimi i jepnin ryshfet kryetarit të bashkisë.
Këto akuza Erion Veliaj i ka konsideruar të denja për romanet absurde të Franz Kafkës dhe ka përjashtuar kategorikisht përfshirjen e tij në krimet që prokuroria e posaçme pretendon.
Mbrojtja e Veliajt, këtë të hënë bojkotoi sallën e gjykimit pa marrë vendimin pasi argumentojnë se procesi është i bazuar në shkelje të rënda.
Ndërkaq, e pandehur për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës është marrë edhe ish-kryetarja e Komisinit të Ligjeve, Klotilda Bushka që sipas SPAK i ka asgjësuar celularin një dëshmitareje të thirrur nga SPAK për të fshehur gjurmë që mund të ekstraktoheshin nëse aparati telefonik sekustrohej nga prokuroria.
Tanimë, Veliaj do të ketë dy beteja, atë në Gjykatën e Posaçme, për të cilën do duhet që të shortohet fillimisht trupa gjykuese e një tjetër në Kushtetuese për masën e sigurisë arrest në burg.
Më 3 nëntor e njëjta gjykatë i dha të drejtë Veliajt pasi goditi vendimin e shkarkimit të tij duke e lënë në detyrë si kryetar bashkie.





