Përmbyllet faza e dytë e punimeve përgjatë lumit Shkumbin, ku ngritja e argjinaturës mbrojtëse përveçse shmang përmbytjet ka sjellë përftimin e një sipërfaqeje e cila është kthyer në një shëtitore dhe ambiente çlodhëse për qytetarët.

 

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri i shoqëruar dhe nga kryebashkiaku Kastriot Gurra inspektuan argjinaturën e re e cila ka sjellë një transformim rrënjësor të zonës.

 

Në fakt unë kam qenë dëshmitar i progresit të këtij projekti. Siç e shikojmë është një transformim rrënjësor; e ka ndryshuar peizazhin e qytetit. Kur vjen dhe e shikon pasi përshkruan këtë rrugë të gjatë shumë të bukur, vura re se shumë qytetarë të Librazhdit e vizitojnë, me ambiente komplet të reja sportive, të bind se ky investim ja vlen. Kjo i jep një bukuri të jashtëzakonshme Librazhdit.

 

Është një nga ato vepra që ata që ikin nga Librazhdi mund të ndjejnë zili. Ata që e shohin për herë të parë kanë dëshirë ta vizitojnë. Gjithkush që e viziton do të shikojë që Librazhdi ka një shëtitore për qytetarët dhe ambiente sportive që e shoqërojnë”, tha ai.
Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan, shprehu angazhimin e tij që edhe pjesa tjetër e investimit të vijojë. “Unë e marr angazhim që do të bëj gjithçka, që edhe pjesa tjetër e investimit të vazhdojë. Ky është një investim me dy funksione. Pra, jo vetëm mbron tokat nga përmbytja, por kthen këtë territor në ambiente çlodhëse. Ku ka më mirë sesa të rinjve dhe të rejave të qytetit ti ofrohen këto mundësi në këtë klimë të mrekullueshme. Realisht thashë me shumë sinqeritet që gjithkush që është larguar e sheh me nostalgji dhe do të kthehet prapë këtu”, theksoi Damian Gjiknuri.

 

Kryebashkiaku Kastriot Gurra bëri të ditur se ky investim zgjidhi përfundimisht një pjesë të madhe të problematikës që kishte, jo vetëm për shkak të përmbytjeve, por edhe kthimit të këtij investimi në mundësi për qytetarët për ta shfrytëzuar atë si shëtitore dhe eksploruar natyrën.

 

Gurra theksoi se këtij investimi do t’i shtohen dhe terrene të reja sportive, ndërsa falenderoi qeverinë për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë.

 

Bëhet fjalë për një gjatësi 400 metër linear. Ka përfunduar ndërtimi i karpateve në të dy anët me beton. Nga ana tjetër është shtruar me asfalt, ndriçim led, gjelbërimin e të gjithë kësaj sipërfaqeje duke mbjellë pemë. Ky investim na afron edhe më shumë drejt destinacionit që kemi përcaktuar për ta çuar këtë investim e bashkuar me lumin Rrapunë. Kjo ka qenë që në fillim të projektit si vepër finale. Ky investim do i japë të gjithë kësaj zone një dimension tjetër. Këtu kemi parashikuar ndërtimin e një fushe tjetër futbolli. Ka qenë një kërkesë e Kryeministrit për të shumëfishuar ambientet sportive. Po shikojmë mundësinë që në këtë territor, meqenëse prona është publike, të bëjmë të mundur ndërtimin e një fushe të re sporti”, deklaroi Gurra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *