Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku akuzoi sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknuri se me firmë të tij, Klodian Zotos dhe Stela Gugalljes kanë nënshkruar koncesion të posaçëm për shitje energjie inceneratorit të Elbasanit për 25 vjet.

 

Në përgjigje të këtyre akuzave, Gjiknuri, teksa i ka cilësuar të rreme, ai deklaroi se nuk është firmosur asnjë kontratë koncesionare prej tij. Ai shtoi se shitja e energjisë nuk është koncesion, por detyrim i lidhur nga kontrata bazë që kompania kishte firmosur me Ministrinë e Mjedisit.

 

“Keqardhje për deklarimet tashmë të përsëritura dhe krejt spekulative të zonjës Tabaku. Duket se “lëkundjet tektonike” brenda PD-së midis grupeve “grata” dhe “non grata” e kanë bërë dhe Tabakun të humbasë lidhjen me realitetin. Fillimisht gënjeu publikisht kur tha se kisha firmosur kontratën e inceneratorit të Tiranës. E konsiderova një lajthitje në kushtet e mungesës së informacionit dhe nuk replikova me zonjën në kohën kur lëshoi një sajesë të tillë. Kontratat janë publike dhe çdokush mund ta shohë që nuk është firmosur asnjëra prej meje. Sot, Tabaku vijoi me të tjera shashka teksa deklaroi se paskam firmosur koncesion të posaçëm për shitje energjie inceneratorit të Elbasanit për 25 vjet. Sërish mashtrim! Autorizimi i dhënë kompanisë për prodhim energjie nuk është koncesion por është detyrim i lindur nga kontrata bazë që kompania kishte firmosur me Ministrinë e Mjedisit. Në përfundim të periudhës 7-vjeçare të koncesionit, kompania bashkë me të drejtën e fituar nga autorizimi i dhënë nga Ministria e Energjisë për prodhim energjie i kalon shtetit shqiptar. Ka ndodhur tashmë fiks kështu. Kompania e inceneratorit të Elbasanit dhe e drejta e saj për prodhim energjie nga djegia e mbetjeve i është transferuar shtetit përmes pushtetit lokal ditën që përfundoi periudha e koncesionit. Me kënaqësi do jem javën e ardhshme në Komisionin Hetimor Parlamentar për të ja shpjeguar më tej zonjës Tabaku diferencën midis gënjeshtrës dhe të vërtetës”, tha Gjiknuri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *