Dyshohet për helmim të disa fëmijëve në Vlorë, dyshimet përqendrohen te ushqimi në kopsht, priten analizat

Gjashtë fëmijë po marrin trajtim mjekësor në repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Vlorës, pas dyshimeve për helmim në kopshtin numër 10 të qytetit bregdetar.
Ndërkohë, në ambientet e Pediatrisë janë paraqitur edhe efektivë të Policisë, të cilët janë interesuar për gjendjen shëndetësore të fëmijëve.
Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se fëmijët e paraqitur në Pediatri kanë shfaqur simptoma të gastroenteritit, të shoqëruara me të vjella dhe diarre.
Menjëherë pas evidentimit të rasteve, është njoftuar Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Vlorë. Specialistët e kësaj njësie kanë mbërritur në spital dhe kanë marrë mostrat për kryerjen e analizave përkatëse laboratorike.
Aktualisht, po vijon hetimi epidemiologjik dhe vlerësimi laboratorik me qëllim identifikimin e shkakut të këtyre rasteve. Shkaku i ngjarjes mbetet ende i paqartë dhe pritet të konfirmohet nga autoritetet përkatëse.




