“Furtunë” në kupolën e policisë, pas Rrumbullakut do të ikin 12 drejtorët e qarqeve dhe zyrtarët më të lartë
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha zyrtarizoi largimin e kreut të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, si dhe ndryshimet që do të përfshijnë kupolën policore në të gjitha nivelet.
Në një takim me drejtuesit e uniformave blu, Hoxha nënvizoi se këto lëvizje radikale bëhen në frymën e reformave për Shqipërinë 2030.
“Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian. Kam bindjen se ata që do të dorëzojnë stafetën udhëheqëse të kësaj trupe, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme të fituar në gjithë këto vite në vijën e parë, për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030”, deklaroi ministri.
Përkohësisht drejtimin e Policisë së Shtetit do ta mbajë Sokol bizhga. Ndërsa javët që vijnë, do të bëhet ndryshimi i të gjithë drejtorëve në policinë e shtetit si dhe në qarqe. Ministri Hoxha tha se lëvizjet duhen parë si vlerësim dhe motivim.
“Uroj që kështu ta shohin promovimin në karrierë edhe Drejtori i ri i Përgjithshëm dhe drejtuesit e rinj të qarqeve e të strukturave kyçe të Policisë së Shtetit, në këtë kohë historike të Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha ministri.
Muhamet Rrumbullaku mbajti postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit prej vitit 2022. Pasuesi i tij, Sokol Bizhga ka një karrierë të gjatë në radhët e uniformave blu, duke shërbyer kryesisht në sektorin e krimeve të rënda dhe të forcave të ndërhyrjes së shpejtë./vizionplus.tv




