Ambra Alimeta, 13-vjeçarja nga Elbasani, ka tërhequr vëmendjen e publikut me një fjalim të përgatitur nga vetë ajo. Videoja e fjalimit të saj bëri xhiron e rrjetit, duke lënë një mesazh të qartë dhe të fuqishëm për të rinjtë dhe politikën shqiptare.
E ftuar sot në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus, me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova Ambra tregoi emocionet e para pasi u njoh me ndikimin e fjalimit të saj në publik.
“U ndjeva shumë e lumtur dhe e emocionuar. Nuk mendova se do të kishte kaq jehonë për mua,” tha Ambra për eksperiencën e saj.
Profesori i saj, Klevis Balliu, e përshkroi Ambra si një nxënëse të jashtëzakonshme: “Ambra është shkrimtare shumë e mirë, ka bërë një libër, është recituese dhe piktore. Nuk përdor rrjete sociale, nuk ka telefon, vetëm telefonin e prindërve për detyrat e shkollës. Ka lexuar 55 libra që nga klasa e parë deri në klasën e pestë.”
13-vjeçarja foli për pasionin e saj për librin që e reflekton hapur.
“Unë kam shumë pasion leximin. Është diçkaa që hap dyert e një universi shumë të bukur për mua. Kam një lidhje të veçantë me librin. Ka qenë miku im kur kam qenë e vetmuar, apo kur jam ndjerë jo aq e lumtur sa ç’jam sot këtu.”
Ambra tha se fjalimin e mbajtur në televizion e kishte shkruar vetë, duke kërkuar vetëm ndihmë për redaktimin. Ideja kryesore e saj ishte nisma “Një ditë në profesion”, një projekt që synon t’i ndihmojë nxënësit të njohin botën e profesioneve dhe të kuptojnë se çfarë duan të bëhen në të ardhmen.
“Nisa ime është “Një ditë në profesion” dhe e kam hartuar që t’i jap më shumë jetë qëllimit të vërtëtë të arsimit. Me anë të kësaj nisme të gjithë nxënësit do njihen me botën e prefoesionit për të kuptuar nëse e duan ose jo. Kam menduar shumë profesione, por jam ende e pavendosur. Më ka hyrë në zemër aktrimi dhe teatri, por për momentin politika nuk është pjesë e botës sime,” tha Ambra.
E reja shprehu dëshirën që të rritet si një shembull i mirë për të tjerët: “I uroj vetes që të jem një shembull për tu ndjekur dhe jo dikush që humbet ndricimin me kalimin e viteve.”’
/vizionplus.tv





