Vetëm pak orë pas fitores së çmimit të madh në “Ferma VIP”, ku u shpall triumfues pas 13 javësh izolimi, Big Basta ndau emocionet e para në një intervistë për Ferma Club.
Artisti, i cili rrëmbeu zemrat e publikut me qetësinë dhe maturinë e tij gjatë gjithë spektaklit, foli për ditën e parë jashtë fermës dhe momentet e para që e kishin marrë malli më shumë.
“Natën e parë fjeta me djalin. Më kishte marrë malli për bisedën me Vesën duke pirë kafen e mëngjesit. Pastaj koha që ju përgjigja familjarëve për urimet që më kishin nisur. Gjeta pak kohë për të parë disa video, reels… pashë momentin e kurorëzimit,” – u shpreh ai.
Fituesi i “Ferma VIP” tregoi se emocionet më të mëdha i përjetoi kur dëgjoi fjalët e bashkëshortes Vesa Luma dhe të djalit të tij, të cilët i shprehën krenarinë për të.
“Vesa më tha që është shumë krenare me mua. Djali ma tha edhe në skenë që është shumë krenar me mua. Por unë jam krenar për ata të dy që kanë mundur të durojnë kaq gjatë pa pasur komunikim bashkë,” – shtoi ai me emocion.
Big Basta, me emrin e vërtetë Gerald Xhari, u shpall fituesi i edicionit të dytë të “Ferma VIP”, duke fituar edhe shpërblimin prej 100 mijë eurosh, dhe duke fituar njëherazi edhe zemrat e publikut për sjelljen dhe karakterin e tij gjatë qëndrimit në fermë.
/vizionplus.tv