Kompanitë serbe janë duke eksportuar mallra të dypërdorshme në Rusi, të cilat janë cak i sanksioneve të Perëndimit për shkak se përdoren në armatimin rus në Ukrainë –përkundër zotimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se vendi i tij nuk do të shërbejë si përçues i anashkalimit të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE).

 

Mallrat e dypërdorshme mund të përdoren si për qëllime ushtarake, ashtu edhe për qëllime civile.

 

Në mesin e atyre që kanë pranuar mallra të tilla nga Serbia në Rusi është edhe furnizuesi i Teknologjisë Informative i cili u godit nga sanksionet amerikane në shtator. Kjo u shpjegua nga Uashingtoni si një përpjekje për ta privuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nga “pajisjet, teknologjia dhe shërbimet për të cilat ai ka nevojë për ta kryer luftën e tij barbare në Ukrainë”, ka gjetur një hulumtim i Radios Evropa e Lirë (REL).

 

Të dhënat doganore nga baza e të dhënave e tregtisë ndërkombëtare, të analizuara nga REL-i, tregojnë se kompanitë serbe kanë dërguar mallra të sanksionuara të dypërdorshme në Rusi në vlerë prej 71.1 dollarësh prej se Putini e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

 

Dërgesat e analizuara nga reporterët përfshijnë llojet e elektronikëve dhe pajisjeve të tjera të kategorizuara si të “prioritetit të lartë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për shkak të përdorimit të tyre në armatimin rus që është gjetur në fushëbetejat ukrainase.

Prej fillimit të pushtimit në shkurt 2022, Uashingtoni dhe Brukseli janë përpjekur ta kufizojnë qasjen e Kremlinit në komponentët perëndimorë të përdorur në pajisjet ushtarake ruse, duke i bërë trysni qeverive ta luftojnë dërgimin e teknologjive të tilla në Rusi përmes vendeve të tyre.

 

Me gjithë thirrjet nga Brukseli për t’u rreshtuar karshi politikave të BE-së, Serbia ka ruajtur marrëdhënie historikisht të ngushta me Moskën edhe gjatë konfliktit dhe mbetet njëra prej qeverive të pakta evropiane që nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë.

 

 

Presidenti Vuçiq, megjithatë, i tha komisionarit për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, në dhjetor 2022 se “askush nuk mund t’i anashkalojë sanksionet kundër Rusisë përmes territorit të Serbisë”, duke shtuar se vendi i tij “nuk do të fitojë para nga vuajtjet e të tjerëve gjatë luftës”.

 

Zyra e Vuçiqit nuk i është përgjigjur kërkesës për koment në lidhje me dërgesat serbe të teknologjisë së sanksionuar në Rusi.

 

REL-i u dërgoi pyetje Qeverisë së Serbisë dhe Ministrisë për Tregti të Brendshme dhe të Jashtme për atë se si kryhen kontrollet e eksportimit të teknologjive të tilla dhe nëse ka pasur të ndëshkuar për shmangien e mundshme të sanksioneve, por nuk mori përgjigje në kohë për publikimin e këtij shkrimi.

 

Nga traktorët deri te elektronikët e sanksionuar

 

Kompania serbe Kominvex u formua në vitin 2005 dhe, deri vitin e kaluar, specializoi në shitje me shumicë të pjesëve dhe pajisjeve për automjetet motorike. Uebsajti i kompanisë ende ofron pjesë të veturave dhe kamionëve, e posaçërisht të traktorëve.

 

Duke i gjykuar të dhënat zyrtare të kompanisë, përfitimi i Kominvexit ka qenë modest: kompania përfitoi vetëm 67 dollarë në vitin 2018 dhe 1.600 dollarë në vitin 2021.

 

Megjithatë, pasuria e saj u përmirësua jashtëzakonisht shumë në vitin pasues, kur filloi të eksportojë mallra elektronike në Rusi dhe të hyrat e saj u mijëfishuan në 1.5 milion euro në vitin 2022.

Në nëntor të atij viti – shtatë muaj pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia – Kominvex e ndryshoi aktivitetin e regjistruar biznesor në tregti me shumicë të komponentëve elektronikë dhe të telekomunikacionit. Të dhënat zyrtare të kompanisë tregojnë se Kominvex e kishte vetëm një punonjës në vitin 2022.

 

Kominvex filloi të eksportojë mallra të dypërdorshme në muajt pas pushtimit rus të Ukrainës më 2022 dhe vazhdoi deri në fund të gushtit 2023, tregojnë të dhënat doganore. Mallrat e eksportuara përfshijnë, mikroçip, procesorë, disqe për ruajtjen e të dhënave dhe sisteme të komunikimit kabllor digjital.

 

Pronari i Kominvex, Marko Svorkan, shtetas serb, nuk pranoi t’iu përgjigjet pyetjeve për biznesin e tij.

 

Të dhënat doganore të analizuara nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, tregojnë se Kominvex eksportoi mallra në vlerë 143.9 milionë dollarë në Rusi nga marsi 2022 deri në fund të korrikut 2023, prej të cilave 54.3 milionë bien në kategoritë e “prioritetit të lartë” të pajisjeve dhe elektronikëve të cilat SHBA-ja dhe BE-ja i kanë sanksionuar për shkak të përdorimit të tyre në armatimin rus që është gjetur në Ukrainë.

 

Kompanitë kryesore që i pranuan këto dërgesa nga Kominvexi në Rusi ishin, Bitteria dhe Velesstor, sipas të dhënave doganore nga baza e të dhënave të tregtisë ndërkombëtare, ImportGeniu dhe Sinoimex. REL-i i kontaktoi të dy kompanitë në fjalë për koment rreth lidhjeve e tyre biznesore me Serbinë, por nuk mori përgjigje.

 

Bitteria, një kompani me bazë në Moskë e themeluar më 2017, ishte në mesin e dhjetëra kompanive ruse dhe individëve që SHBA-ja i sanksionoi në shtator.

 

Kominvexi eksportoi në Rusi më 2022 mallra të prodhuara nga gjiganti amerikan i teknologjisë, Intel, në vlerë së paku 27 milionë dollarë. Intel ka thënë vazhdimisht se ka ndërmarrë masa për t’u siguruar se produktet e saj nuk e arrijnë Rusinë duke shkelur kontrollet e eksportit.

 

Trembëdhjetë nga 15 dërgesat më të vlefshme të mallrave të dypërdorshme të dërguara nga Kominvexi në kompaninë e sanksionuar ruse, Bitteria, përmbanin produkte Intel, sipas të dhënave doganore.

 

Intel tha për REL-in se “nuk e mbështet apo toleron” përdorimin e produkteve të veta “për t’i shkelur të drejtat e njeriut”.

 

Të dhënat doganore, po ashtu, tregojnë se Kominvexi ka eksportuar mallra në Rusi edhe përmes Malajzisë, Vietnamit dhe Kinës.

 

“Vetëm pakëz tregti”

 

Së paku një kompani tjetër serbe ka eksportuar mallra të dypërdorshme në Rusi, të cilat janë të sanksionuara, përfshirë edhe në kompaninë Bittria, sipas të dhënave doganore.

 

Kompania, Soha Info, ndodhet në qytetin Novi Banovki, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Beogradit. Mes tetorit 2022 dhe korrikut 2023, kjo kompani eksportoi mallra në vlerë 18 milionë dollarë në Rusi, tregojnë të dhënat.

 

Në mesin e atyre dërgesave ishin edhe eksportimi i elektronikëve në vlerë prej 6.3 milionë dollarë, të cilat janë të cilësuar si mallra të dypërdorshme të “prioritetit të lartë” nga SHBA-ja dhe BE-ja, sepse po përdoren në armatimin rus në Ukrainë.

 

Soha Info u themelua në korrik 2022, vetëm disa muaj pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, dhe shënoi një fitim prej 6.1 milionë dollarëve në të hyra në gjashtë muajt e parë të operimit, sipas raportit financiar të vet kompanisë.

 

Pronari i Soha Infos, një qytetar serb i quajtur Dragan Dragas, nuk pranoi të flasë për punën e kompanisë së vet me partnerët rusë kur u pyet nga REL-i. Ai e përshkroi biznesin e vet si “vetëm pakëz tregti” dhe e mohoi se merrej me mallra të sanksionuara. Këtu edhe i dha fund bisedës.

 

Mediat serbe raportuan në gusht se një kompani tjetër serbe, Goodforwarding, po eksportonte mallra të sanksionuara në Rusi. Në një përgjigje për REL-in, kompania tha se u formua më 2022 për eksportimin e bananeve në Rusi, por se nuk ishte në gjendje të kryente aktivitete komerciale për shkak të kufizimeve bankare. Në një komunikatë, Goodforwarding shtoi se “dikush po e përdor” kompaninë e saj për “të importuar mallra të sanksionuara”.

 

Deri tani, Shtetet e Bashkuara e kanë sanksionuar vetëm një kompani serbe për rolin e saj si furnizues i mallrave të dypërdorshme në Rusi.

 

Në një njoftim për sanksionet në qershor, Departamenti i Thesarit i SHBA-së tha se kompania me bazë në Beograd, MCI Trading, po shërbente si një ndërmjetës për një firmë ruse “e cila është e specializuar në transferimin e teknologjisë së huaj gjysmëpërçuese në kompanitë ruse për prodhimin e mikroelektronikëve, përfshirë entiteteve që i ofrojnë mikroelektronikë industrisë mbrojtëse të Rusisë”./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *