Subscribe

Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Akuarelit mbrëmjen e së mërkurës ngiti siparin në Tiranë. I pranishëm në këtë event, kryebashkiaku Veliaj tha se ky është imazhi i Shqipërisë moderne.

 

“Ne kujdesemi edhe për shtresat në nevojë, edhe për banesat sociale, edhe për mensat, për ata që janë në situatë rruge, edhe për të gjithë nevojat e komunitetit, por pyetja është: njerëzit jetojnë vetëm me bukë? Apo jetojnë edhe me art, me kulturë, me pikturë, me libra, me opera, baleti dhe teatro? Kjo është arsyeja përse ne besojmë që një qytet i mirë, duhet t’i bëjë të dyja. Duhet të jetë një qytet që për ata që kanë nevojë ushqen stomakun, ama për të gjithë nevojtarët që kanë nevojë të ushqejnë shpirtin, ofron edhe atë lloj gjelle.”

 

Veliaj theksoi se mbushja e Tiranës me kaq shumë aktivitete kulturore është fytyra e Shqipërisë moderne.

 

“Unë besoj se ideja e kësaj bienaleje për të çiftuar ata që janë me më shumë përvojë nga e gjithë bota, me dikë që është i ri dhe sapo ia ka nisur kësaj karriere më këtë pasion, është fantastike. Besoj se i shkon Tiranës si Kryeqytet Europian i Rinisë. Fakti që Tirana është mbushur me aktivitete, tregojmë një imazh tjetër të Shqipërisë sonë, të Tiranës sonë, që sigurisht do duhet të rikuperojë imazhin e ’97-’98, për të cilën asnjë prej të rinjve sot s’ka faj.”

 

Çmimi “Master Award” iu dha mjeshtrit të akuarelit Stanislav Zolaz nga Suedia dhe Silvia Monge nga Kosta Rika. Ndërsa Krasi Todorov nga Bullgaria u vlerësua me çmimin “Best Portret Artist”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.