Jeta sedentare dhe përdorimi i tepruar i teknologjisë kanë reduktuar ndjeshëm lëvizjen dhe përfshirjen në aktivitete fizike, sidomos te të rinjtë. Si pasojë, një numër gjithnjë në rritje i tyre po përballet me një sërë problemesh shëndetësore.
“Shkakton dobësim të masës muskulare dhe kjo më pas shoqërohet me probleme të ndryshme si: probleme të qafës, posturë të gabuar, dhimbje mesi, dhimbje gjunjësh, dhimbje shpatullash, probleme në sistemin e qarkullimit të gjakut, në sistemin e frymëmarrjes, etj.”, tha fizioterapisti Klenton Kadillari.
Problemet me shpinën janë rritur ndjeshëm edhe te grupmoshat e reja, për shkak të qëndrimit me orë të zgjatura përpara telefonit apo kompjuterit.
“Ne kemi adoleshentë të cilët vuajnë nga dhimbjet e shpinës. Më përpara nuk ka qenë një grupmoshë që shfaqte këto probleme, por jeta sedentare ka bërë që edhe të rinjtë të kenë probleme të tilla. Përdorimi i tepërt dhe trendi i qëndrimit në rrjete sociale gjatë gjithë kohës është një risk që ul aktivitetin fizik dhe shkakton shumë probleme.”
Globalisht, sipas OBSH, një në katër të rritur nuk kryen aktivitet fizik, ndaj për të pasur një jetë të shëndetshme rekomandohet që të rinjtë të kryejnë mesatarisht 60 minuta aktivitet fizik, nga mesatar deri te i fuqishmi, në ditë.
/vizionplus.tv





