Subscribe

Pas dakordësisë së gjetur mes socialistëve dhe demokratëve, Komisioni Hetimor për inceneratorët ka kohë deri më 25 shkurt për të dalë me një raport mbi atë që PD e cilëson si afera më e madhe korruptive e bërë nga mazhoranca qeverisëse.

 

Nga ministria e Mjedisit, Drejtësisë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi u kërkua që të vihet në dispozicion i gjithë dokumentacioni ndër vite për çdo vendimmarrje për tre inceneratorët, të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit.

 

Përveç shqyrtimit të dokumenteve, anëtarët e komisionit do të zhvillojnë vizita edhe në të tre inceneratorët për të krijuar një ide të qartë për funksionin e tyre.

 

Dy javë para afatit të përfundimit, para Komisionit Hetimor janë thirrur për të dëshmuar zyrtarët më të lartë të vendit.

 

“Komisioni i Inceneratorëve një fitore të vogël e ka. Sot Lefter Koka është në burg. Inceneratori i Elbasanit i cili ka vetëm një person sot përpara drejtësisë, unë besoj se do të vazhdojë me personat e tjerë, është hapi i parë për t’i hapur rrugë hetimit nga SPAK njëkohësisht edhe të inceneratorit të Fierit dhe Tiranës. Sot me miratimin e planit të hetimit ramë dakord që do të bëjmë vizita edhe në të tre inceneratorët, ai i Elbasanit është një skenë krimi tashmë dhe sigurisht që deputetët do të bëjnë pyetjet përkatëse ndërkohë që tek Fieri dhe tek Tirana kemi shumë për të gjetur, kemi shumë për të parë, ashtu siç kemi deklaruar, aty nuk ka pasur incenerator, aty nuk ka pasur impiant për trajtimin e incenerimit, megjithëse pagesat kanë vazhduar dhe ndërkohë që nga dita e hënë ne do të bëjmë thirrjen e dëshmitarëve me grupin e parë të dëshmitarëve në fillim të javës, me mediat, specialistët, me personat përgjegjës në Agjensinë e Prokurimeve Publike ndërkohë që në javën e dytë do të kemi personat politikë. Kryeministri  Edi Rama ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij, ministri Ahmetaj, Ish-Ministri Gjiknuri, por njërkohësisht edhe tre kryetarët e Bashkive që kanë qenë vendimmarrës në këtë proces. Tek Elbasani kemi një specifikë. Kemi ish-Kryetarin e Bashkisë dhe kryetarin aktual të Bashkisë të cilët do të merren pjesë e hetimit. Unë jam këtu për t’ju treguar angazhimin maksimal të PD-së për të vazhduar hetimin e kësaj afere deri në fund”

 

Mbetet për t’u parë se kush nga dëshmitarët do të shkojë në Komisionin Hetimor të inceneratorëve, për të cilin ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, pasi përshëndeti zgjatjen e afatit, theksoi se i gjithë procesi do të monitorohet nga afër.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *