E martë, 13 Tetor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sociale

“Europa s’mund të mbrohet pas mureve”, Kardinali Francesco Montenegro shpreh shqetësimin për krizën e emigrantëve

“Europa nuk mund të mbrohet pas mureve”! Kështu shprehet gjatë një interviste Kardinali Francesco Montenegro, i njohur për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbrojtje të të drejtave dhe dinjitetit të emigrantëve, një nga zërat e rëndësishëm të Kishës Katolike në Itali lidhur mbi këtë çështje. Kardinali ngre shqetësimin për mënyrën se si Europa po përballet me krizën e migracionit.

“Besoj se ka një gjë që duhet të mësojmë: të kujtojmë se ata janë qenie njerëzore, janë njerëz dhe kanë dinjitet. Ne e zgjidhim çështjen duke i quajtur thjesht “migrantë”, por ata nuk janë një kategori. Çdo njeri është një histori më vete dhe, kur këto histori bashkohen, bëhen një tragjedi, një histori e trishtuar. Në Detin Mesdhe flitet për më shumë se 60 mijë të vdekur dhe këto shifra duhet t’i marrim parasysh. Me pyetet si po përballet Evropa me atë që po ndodh? Nuk besoj se po përgatitet për pritjen e tyre. Shoh se mendojnë që, duke ndërtuar mure, do të jetojnë më mirë. Por, duke ndërtuar mure, krijohen vetmi dhe izolim. Asnjë komb nuk mund të mbrohet i vetëm, edhe sepse, për shkak të nivelit të lindshmërisë në Itali dhe në vende të tjera, nesër do të kemi nevojë për migrantët. Do të jemi ne ata që do t’i thërrasim. Nuk duam të mendojmë për këtë, sepse besojmë se jemi mirë, por në të vërtetë do të gjendemi përballë vështirësive të mëdha”, tha Kardinali italian.

Reklamë

Si ish-kryepeshkop i Agrigentos, dioqeza ku bën pjesë edhe ishulli i Lampedusës, një vend të veçantë në mesazhin e kardinalit zë edhe kujtimi i vizitës së Papa Françeskut 13 vite me pare.

“Papa mbeti shumë i tronditur nga situata që gjeti në Lampedusa. Më kanë thënë se edhe kur u kthye në Romë, si dhe kur shkoi në vende të tjera, foli për këtë tronditje që ndiente në zemër. Ai na tha se kemi nevojë dhe se, si të krishterë, kemi edhe detyrimin të shohim nga ana e vëllezërve tanë. Papa Francesku e përsëriti disa herë se sa shumë vuajtje kishte. E tha këtë përpara varrezës së anijeve, e tha kur takoi migrantët, e tha te këmbët e Zojës së Bekuar dhe e tha edhe në anije, ndërsa shihte të gjithë njerëzit që e prisnin. Sa shumë vuajtje! Dhe besoj se të kujtosh Lampedusën do të thotë të kujtosh vuajtjen, por edhe të përcjellësh shpresë”, shtoi Kardinali.

Reklamë

Montenegro ndalet edhe te lidhjet e tij me komunitetin arbëresh në Itali. Ai kujton se Papa Françesku e kishte dërguar në Piana degli Albanesi, ku pati mundësinë të njihte nga afër këtë komunitet dhe të dëgjonte gjuhën arbëreshe.

“Unë jam një njeri me fat, sepse Papa Françesku, tre vjet më parë, më dërgoi në Piana degli Albanesi. Për këtë arsye, kam qenë pranë tyre dhe gjuha arbëreshe tingëllonte në veshët e mi. Shihja se sa e fortë ishte lidhja mes gjuhës arbëreshe dhe asaj italiane. Kam pritur edhe presidentin e Shqipërisë, prandaj, nga ana ime, e konsideroj veten me fat. Por edhe njerëzit i vlerësojnë këto vizita, sepse, sidomos njerëzit e thjeshtë, dinë ta shohin tjetrin në sy dhe të zbulojnë tek ai vëllanë e tyre”, tha Kardinali.

Në fund, ai shpreson që papa Leoni të vizitojë Shqipërinë, në kuadër edhe të vitit jubile të 130 vjetorit të shpalljes së Nënës së Këshillit të Mirë, Pajtore e Shqipërisë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.