Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “STOP”, duke çuar në pranga dy persona të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në një lagje të rrugës “Xhanfize Keko”.
Të arrestuarit janë shtetasit Denis Brakaj (Krasniqi), 35 vjeç dhe Elker Xibraku, 30 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit në ambientin ku u ndaluan, Policia gjeti dhe sekuestroi 8 pako me lëndë narkotike kanabis në formë xhelatine.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të dyshuarve, D. B(K)., u sekuestruan edhe rreth 802 gramë kanabis, si dhe 3 armë të ftohta (thika).
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për aktivitet të dyshimtë kriminal në zonë.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.





