Subscribe

Arrestimi i Eduard Lamajt, autori kryesor i vrasjes së dyfishtë në Laç të Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit, ka shërbyer për zbardhjen e krimit të rëndë.

30-vjeçari i arrestuar dyshohet se është personi që i veshur me jelekun me mbishkrimin ‘policia’ ka qëlluar me arme, i ndihmuar nga 3 persona të tjerë.  

Por gjatë sulmit, Lika dhe Gjergji janë kundërpërgjigjur me armë duke lënë të plagosur në këmbë Lamajn. Menjëherë pas këtij momenti, ai ra përtokë por vazhdoi të gjuante duke lenë të vdekur në vend Likën, e duke plagosur rëndë Paulin Gjergjin, i cili ndërroi jetë më vonë në spital.

Pasi autorët janë larguar, kanë parë në rrugë 21-vjeçarin Kreshnik Tushe të cilin e kanë qëlluar dhe e kanë plagosur në këmbë. Ky i fundit u nis në spitalin e Lezhës dhe policia e arrestoi pasi dyshoi se ishte një nga autorët e krimit.

Por sot me arrestimin e Lamaj, mësohet se Tushe nuk ka lidhje me ngjarjen. Ai është plagosur nga autorët pasi kishin frikë se mos ai kishte dalë për tu bërë pritë.

Eduard Lamaj, pasi qëndroi me plagë në këmbë më shumë se tre javë, ka kërkuar ndihmë mjeksore pasi plaga i është infektuar.

Familjarët e tij e dërguan tek ortopedi nga Lezha, Viktor Marku, 42 vjeç. Ky i fundit duke e parë gjendjen e rëndë të të riut, ra dakord që ta operonte fshehurazi pa e raportuar në polici, në klinikën private Ama Vita në zonën e “Qytet Studenti” në Tiranë.

Ortopedi nga Lezha kishte rënë dakord edhe me kirurgun e Spitalit Ushtarak, Besnik Lame. Të dy do të merrnin rreth 10 mijë euro për të bërë operacionin në këmbë. Të dy mjekët janë arrestuar nga policia për moskallëzim të krimit.

Burime nga policia bëjnë me dije se Lamaj e ka pranuar autorësinë e atentatit duke thënë se pronari i hotelit ku ndodhi vrasja, vëlla i Bujar Likës, i kishte një sasi parash borxh, prandaj kishte shkuar që t’iu shkatërronte biznesin, por nuk donte që ti vriste. Ai shtoi se viktimat e kanë qëlluar dhe dhe për këtë arsye ai i vrau.

Por një nga pistat e Prokurorisë është edhe hetimi për një grup kriminal me vrasës me pagesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *