Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka ndjekur procesin e vaksinimit me njësitë e lëvizshme në Ndroq, në periferi të Tiranës. Duke folur për interesin në rritje për vaksinimin anticovid edhe mes të rinjve, Manastirliu tha se do të ketë sërish javë të hapura të vaksinimit masiv +18 vjeç.
“Javët e hapura të vaksinimit do të vijojnë. Fakti që kemi disponibilitet dhe lloje të ndryshme vaksinash në të gjitha strukturat tona shëndetësore na krijon mundësinë që të vazhdojmë vaksinimin për çdo grupmoshë. Sigurisht që këto ditë kanë treguar që vaksinimi i hapur ka funksionuar. Ditët e fundit kanë treguar që është rritur mbulimi me vaksina për të gjitha grupmoshat dhe shihet një interes në rritje edhe për grupmoshën e re, pra +18 vjeç.”
Duke folur për disponibilitetin e vaksinave, Manastirliu bëri me dije se ditën e hënë do të mbërrijë në vendin tonë një tjetër sasi e vaksinës Pfizer.
“Ne jemi në pritje ditën e hënë për të vijuar furnizimin me vaksina. Do të kemi rreth 44 mijë doza të vaksinës Pfizer ditën e hënë, në vijim të kontratës që ne kemi, të qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer si edhe të mbështetjes së Bashkimit Europian. Ndërkohë që do të vijojmë që të rrisim sasinë e vaksinave në vend, në sajë të kontratave që kemi lidhur.”
Duke theksuar rrezikun e përhapjes së shpejtë të variantit Delta, Ministrja e Shëndetësisë ka ftuar qytetarët që të vaksinohen sa më parë.
“Kemi dyshime të arsyeshme nga sinjalet laboratorike se në Shqipëri qarkullon varianti Delta. Por ende jemi në pritje të rezultateve të Laboratorëve të Referencës për ta vërtetuar këtë dyshim tonin. Ajo çfarë është e rëndësishme, duke u nisur edhe nga çfarë po ndodh në vendet përreth, ku shihet që ka një rritje të qarkullimit të këtij varianti dhe ka nevojë për të rritur ndërgjegjësimin në fakt për procesin e vaksinimit. Vaksina është arma e vetme që ne kemi.”





