Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Vilë-Bashtovë, ku humbën jetën babai 50-vjeçar dhe dy djemtë e tij të mitur, policia ka arrestuar administratorin e këtij plazhi, Pëllumb Nika.

 

Sipas policisë, Nika nuk kishte marrë masa për sigurimin e jetës së pushuesve, nuk garantonte shërbimin me vrojtues gjatë gjithë kohës dhe nuk kishte pajisur me sinjalizim dhe me kufizim me bova të hapësirës ujore.

 

Tre anëtarët e familjes nga Tirana, Elvis Halilaj 50 vjeç, së bashku me fëmijët e tij të mitur 13 dhe 15 vjeç, humbën jetën në det paraditen e së dielës, në momentin kur 50-vjeçari dhe djali i tij 15-vjeçar hynë në detin e trazuar për të nxjerrë 13-vjeçarin, i cili po kërkonte ndihmë.

 

Por tentativa rezultoi fatale për të tre. Ishin pushuesit e pranishëm ata që ndërhynë menjëherë, për t’i nxjerrë nga deti. Në fillim u bë e mundur të nxirrej trupi i 50-vjeçarit e më pas nisën kërkimet për dy fëmijët e mitur. Sipas qytetarëve që ishin prezentë, nuk u kuptua që të tre viktimat po kërkonin ndihmë, ndërsa policia dhe ambulanca mbërritën me shumë vonesë.

 

Shkak për këtë tragjedi dyshohet se u bënë rrymat e forta detare, ndërkohë që në këtë plazh nuk ka asnjë kullë vrojtimi apo vrojtues plazhi, për të ndërhyrë në raste rreziku si ai i një dite më parë.

 

Nga ana tjetër, policia iu ka bërë apel të gjithë operatorëve që kanë përfituar kontrata shërbimi përgjatë vijës bregdetare, që të ushtrojnë aktivitetin në përmbushje të detyrimeve për sigurinë e jetës së pushuesve dhe të marrin masa të menjëhershme, për të përmirësuar edhe më shumë kushtet e sigurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *