Skena tragjike janë shpalosur në aeroportin e qytetit Muan të Koresë së Jugut, teksa familjarë dhe miq të 179 viktimave të tragjedisë më vdekjeprurëse të aviacionit në vend, qajnë për të dashurit e tyre.
“Si do të jetoj vetëm pas kësaj?” thonë shumica e njerëzve, ndërsa procesi i identifikimit është i ngadaltë duke shkaktuar edhe më shumë shqetësim.
“Dua ta shoh edhe një herë”, “Dua ta shoh fytyrën e saj për herë të fundit” janë disa nga thirrjet e familjarëve të viktimave.
“Nuk e prisja kurrë që udhëtimi familjar të kthehej në një tragjedi”, tha për agjencinë e lajmeve Yonhap, një burrë 60-vjeçar, i cili humbi nusen, vajzën, burrin e saj dhe fëmijët e tyre në të njëjtin fluturim.
Disa madje lexuan mesazhet e fundit të njerëzve të tyre, të cilët fillimisht e morën goditjen e shpendëve si shaka, por nuk dërguan më asnjë mesazh.
Mediat koreano-jugore raportojnë se në mesin e viktimave është një familje prej 9 anëtarësh që kishin udhëtuar në Tajlandë për të festuar ditëlindjen e më të madhit të tyre.
Në të njëjtin fluturim ishin tre punonjës të bashkisë dhe pesë pensionistë.
Maeng Gi-su, 78 vjeç, i tha BBC-së se në aeroplan ishin nipi dhe dy djemtë e tij, të cilët kishin udhëtuar për të festuar hyrjen e njërit prej tyre në kolegj.
Më shumë se 40 nga 175 pasagjerët ishin midis 50 dhe 60 vjeç, 39 ishin mbi 60 vjeç, 32 ishin midis 40 dhe 50 vjeç, 24 ishin mbi 70 vjeç. Një 3-vjeçar është viktima më e vogël.
Qeveria e Koresë së Jugut shpalli shtatë ditë zie kombëtare.
“Aeroporti ishte plot me zogj”
Në të njëjtën kohë, vijojnë hetimet për shkaqet e tragjedisë. Dyshohet se avioni u përplas me një tufë zogjsh.
Ky version mbështetet nga dëshmia e një punëtori në aeroportin e Muanit, sipas të cilit “qielli mbi pistë ishte plot me zogj”.
“Disa orë para aksidentit, një tufë zogjsh kishte mbuluar qiellin. Të gjithë thamë se ishte hera e parë që kishim parë kaq shumë zogj. Papritur ata ishin brenda aeroportit. Kjo zakonisht nuk ndodh”, shtoi i njëjti punonjës.
South Korea’s MBC TV has released Footage appearing to show an Explosion, possibly a Bird Strike, in the Right-Wing Engine of Jeju Air Flight 2216, right before it Crashed earlier at Muan International Airport in South Korea. pic.twitter.com/Vsy23dmuFZ
— OSINTdefender (@sentdefender) December 29, 2024
Dëshmitë e dy stjuardesave që u shpëtuan
“Nga motorët doli tym dhe më pas pati një shpërthim,” tha stjuardesa e shpëtuar zonja Ku, ndërsa e mbijetuara e dytë, një stjuardesë 33-vjeçare, tha se nuk mbante mend asgjë.
Madje, kur ka mbërritur në spital, u ka thënë mjekëve “pse jam këtu?”.
“Kisha vendosur rripin para uljes, mendova se avioni u ul, por nuk mbaj mend asgjë pas kësaj”.
Ajo vetë ka mbetur e plagosur në shpatullën e majtë dhe ka goditur edhe kokën.
Ministria e Transportit e Koresë së Jugut tha se kulla e kontrollit u kishte dërguar një mesazh paralajmërues pilotëve të aeroplanit për rrezikun e një goditjeje zogu përpara rrëzimit.
Siç raportohet nga agjencia e Koresë së Jugut News1, një pasagjere në fluturim thuhet se i dërgoi një mesazh një të afërmi në të cilin ajo përshkruante një zog që ishte mbërthyer në krahun e Boeing.
Sipas të njëjtit burim, mesazhi i fundit që dyshohet se ka dërguar pasagjeri ka qenë “a duhet të them fjalët e mia të fundit?”./vizionplus.tv





