E hënë, 12 Tetor 2026 Lajme Ora 19:00 dhe Moti deri në 20:00 Në vijim ora 20:00: Det i Trazuar Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Dorëheqja e Bas, tension dhe përplasje në qeverinë e Merz

Dorëheqja e ministres gjermane të Punës dhe Çështjeve Sociale, njëkohësisht bashkëkryetare e Partisë Socialdemokrate (SPD), Bärbel Bas, ka shkaktuar tensione të reja në qeverinë e kancelarit Friedrich Merz.

Bas njoftoi dorëheqjen mëngjesin e sotëm, duke përmendur arsye personale pas vdekjes së vajzës së saj të birësuar. Megjithatë, si një tjetër arsye për largimin e saj, ajo përmendi edhe sulmet personale në rritje nga përfaqësues të partisë bashkëqeverisëse, Bashkimi Demokristian (CDU).

Reklamë

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Ëadephul, deklaroi se dorëheqja e papritur e ministres nuk ndryshon asgjë në funksionimin e koalicionit qeverisës, në përpjekje për të qetësuar shqetësimet për një krizë të re politike në Berlin.

Ai theksoi se aleanca mes demokristianëve dhe socialdemokratëve ka një mandat katërvjeçar dhe se si Gjermania, ashtu edhe Evropa, kanë nevojë për stabilitet politik. Ëadephul shprehu gjithashtu mbështetjen e tij për Bas, duke e cilësuar një person me vlera të veçanta, mungesa e së cilës do të ndihet në qeveri.

Reklamë

Nga ana e tij, kancelari Friedrich Merz tha se e kupton vendimin e ministres, veçanërisht duke pasur parasysh tragjedinë personale që ajo ka përjetuar pas vdekjes së vajzës së saj të birësuar.

Merz pranoi se mes tyre kishte pasur mosmarrëveshje politike, por theksoi se ato kishin të bënin vetëm me çështje konkrete të politikave qeverisëse dhe jo me konflikte personale. Sipas tij, gjatë javëve të fundit, ai u kishte kërkuar përfaqësuesve të CDU-së të tregoheshin veçanërisht të kujdesshëm, respektues dhe të ndjeshëm në raport me ministren.

Përplasjet për pensionet dhe tregun e punës

Gjatë muajve të fundit, përfaqësues të CDU-së e kishin akuzuar vazhdimisht ministren në largim se po vononte reforma të rëndësishme në sistemin e pensioneve dhe në tregun e punës, si dhe paraqitjen e projektligjeve të dakordësuara brenda koalicionit qeverisës.

Politikanë demokristianë, mes tyre deputeti Stefan Nacke, drejtues i grupit për çështjet e punonjësve në grupin parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman, i kishin kërkuar publikisht ministres të paraqiste “menjëherë projektligjet”.

Në të njëjtën kohë, ata e kishin paraqitur Bas si përgjegjësen kryesore për vonesat në zbatimin e reformave të dakordësuara.

Një nga çështjet kryesore të kritikave ndaj Bas ishte qëndrimi i saj për reformën e orarit të punës, e cila parashikon më shumë fleksibilitet krahasuar me sistemin aktual tetëorësh.

Një tjetër pikë e debatit ishte reforma e njohur si “pensioni në moshën 63-vjeçare”.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, në fillim të tetorit, grupi parlamentar i konservatorëve gjermanë thuhet se kërcënoi të mos mbështeste reformën tatimore të ministrit të Financave dhe bashkëkryetarit të SPD-së, Lars Klingbeil, nëse Ministria e Punës nuk paraqiste menjëherë projektligjet për sistemin e pensioneve dhe tregun e punës.

Ministri i Financave dhe bashkëkryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, anuloi një udhëtim të planifikuar në Indi pas njoftimit për dorëheqjen e Bärbel Bas. Ai i cilësoi sulmet ndaj ministres gjatë periudhës së zisë si të papërshtatshme dhe fyese.

Edhe më e ashpër ishte kryeministrja e landit Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, Manuela Schëesig, e cila e përshkroi sjelljen politike ndaj ministres në largim si të pamëshirshme, madje edhe çnjerëzore.

Dorëheqja e Bas vjen në një moment tensionesh mes partnerëve të koalicionit, të cilët kanë pasur mosmarrëveshje për ritmin dhe përmbajtjen e reformave ekonomike dhe sociale që duhet të ndërmarrë qeveria gjermane.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.