“Do kthehemi të jetojmë në Barcelonë”! Një lidhje që shkon përtej futbollit për familjen Lewandovski

Anna Lewandowska ka zbuluar lidhjen e veçantë që ajo dhe bashkëshorti i saj, Robert Lewandowski, kanë krijuar me Barcelonën, duke pranuar se qyteti katalanas mbetet një vend shumë i dashur për familjen e tyre.
Bashkëshortja e sulmuesit polak ka theksuar se periudha e kaluar në Barcelonë ka lënë gjurmë të thella tek të dy, duke e cilësuar klubin katalanas si skuadrën më të preferuar të Robertit mes të gjitha ekipeve ku ai ka luajtur.
“Nuk mendoj se unë dhe Roberti do ta harrojmë ndonjëherë Barcelonën. Ishte klubi i tij i preferuar nga të gjithë ata për të cilët ka luajtur”, është shprehur Anna, duke treguar se lidhja me qytetin dhe klubin mbetet e fortë edhe pas largimit.

Ajo ka rrëfyer gjithashtu se mungesa e Barcelonës ndihet herë pas here në mënyrë të veçantë, duke e krahasuar me ndjesinë e largimit nga një person i dashur.
“Ka ditë kur më mungon Barcelona sikur të ishte një person i vërtetë që e kemi lënë pas”, ka deklaruar ajo.
Por mesazhi më domethënës lidhet me të ardhmen e familjes Lewandowski. Anna ka bërë të ditur se rikthimi në qytetin katalanas mbetet një mundësi konkrete pas përfundimit të karrierës futbollistike të Robertit.
“Patjetër që do të kthehemi të jetojmë atje sapo Roberti ta përfundojë karrierën e tij futbollistike”, ka theksuar ajo.

Këto deklarata tregojnë se Barcelona nuk ka qenë thjesht një ndalesë tjetër në karrierën e sulmuesit polak, por një qytet me të cilin familja e tij ka krijuar një lidhje të veçantë emocionale.




