Ekspozita “Diona e Dheut” çeli dyert këtë të martë në Galerinë e Artit Bashkëkohor Tiranë, GOCAT, galeri pjesë e Fondacionit Mane, duke sjellë për herë të parë në këtë hapësirë një koncept artistik tërësisht të ndërtuar mbi mediumin e qeramikës.
Pesë artiste shqiptare, Mira Kuçuku, Llambrini Dëna Bojaxhiu, Laura Sllamniku Kryeziu, Blerta Surroi dhe Gresa Kurti, bashkohen në një ekspozitë që ndërthur breza, stile dhe qasje të ndryshme artistike, por që lidhen përmes figurës mitologjike të Dionës, hyjneshës së tokës dhe fuqisë krijuese femërore.
E kuruar nga Suzana Varvarica, ekspozita ndërtohet si një udhëtim në pavione të veçanta, ku secila artiste ruan individualitetin e saj, ndërsa veprat komunikojnë mes tyre në një dialog të përbashkët artistik.
Në konceptin kuratorial, “Dionat e Dheut” risjellin simbolikën e gruas-hyjni dhe gruas-krijuese, të lidhur ngushtë me tokën dhe materien e qeramikës, një medium që daton mijëra vite më parë si shprehje e gjenezës së jetës dhe artit njerëzor.
Diona ishte shumë e respektuar në fiset epiriote, atëherë e gjeta celsin. Arkitektura e brendshme e kësaj galerie është perfekt për këtë ekspozitë, por mua mu përshtat shumë për këto artiste të pesta, Suzana Varvarica Kuka, kuratore e ekspozitës.
Kjo është hera e parë që GOCAT prezanton një ekspozitë të këtij formati të fokusuar vetëm në skulpturën dhe instalacionin në qeramikë, duke e kthyer hapësirën në një univers simbolesh, formash organike dhe narrativash mitologjike.
Për herë të parë në galerinë “GOCAT” vjen një ekspozitë qeramike. Për herë të parë janë pesë artiste me kuratoren po ashtu grua, të cilat sjellin një emocion ndryshe; sjellin materie, sjellin qeramikë, në teknika të ndryshme. Ne në galerinë “GOCAT” sjellim këtë ekspozitë interesante që mendoj se do të pëlqehet jashtëzakonisht shumë, Ena Bulku, Drejtuese e Galerisë “Gocat”.
Ekspozita “Diona e Dheut” do të mirëpresë vizitorët deri më 28 qershor në Galerinë e Artit Bashkëkohor Tiranë, pjesë e Fondacionit Mane, duke i ofruar publikut mundësinë ta vizitojë falas këtë udhëtim artistik mes mitologjisë, qeramikës dhe krijimtarisë bashkëkohore shqiptare.
/vizionplus.tv





