Subscribe

Mbyllja e bisedimeve ne Kretë mes ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë  Ditmir Bushati dhe Nikos Kozias, ka sjellë reagimin e opozitës greke.

 

Në një komunikim zyrtar, partia Demokracia e Re thekson se deklarata e përbashkët e dy ministrave nuk i referohet ndonjë përfundimi konkret dhe se e vetmja gjë që del në pah, është se shefat e diplomacive do të takohen përsëri, kësaj radhe, në Shqipëri.

 

Në deklaratë, opozita i kujton ministrin Kocias se duhet t’u japë përgjigje pyetjeve që iu bënë me shkrim nga Demokracia e Re, para nisjes së negociatave.

 

“A ka rënë dakord Ministri i Jashtëm  për të diskutuar çështjen inekzistente  për Greqinë, çështjen Çame, të cilën pala shqiptare e shtron vazhdimisht? Si funksionon kjo paketë me të gjitha çështjet komplekse që kanë të bëjnë me marrëdhëniet greko-shqiptare, të cilat janë krejtësisht të ndryshme në natyrën e tyre  ligjore dhe politike? Po çështje të tjera si Marrëveshja Detare, të drejtat e pakicave, varrezat ushtarake dhe përmbajtja irredentiste e librave shkollorë shqiptarë? A konsiderohen këto si të ndërlidhura nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë? Progresi në një  prej tyre a do të ndikojë në evolucionin e tjetrit dhe si?” 

 

Në përfundim të deklaratës, partia Demokracia e Re nënvizon se për shkak se çështjet janë shumë serioze dhe kritike pret përgjigje të përgjegjshme nga Ministria e Jashtme.

 

Ndërkohë nuk përjashtohet mundësia që Kocias të përballet me një kërkesë për interpelancë nga opozita pikërisht për të zbardhur detaje nga bisedimet dypalëshe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *