E martë, 6 Tetor 2026 Trazira në Parajsë deri në 05:45 Në vijim ora 05:45: Takohemi N'vizion Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Kurti takon kongresistin amerikan, kritikon aktgjykimin e Speciales në Hagë: Gjykata nuk është transparente

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar edhe njëherë, si të padrejtë, aktgjykimin e Dhomave të Specializuara kundër ish katër krerëve të UÇK-së ndërsa ka theksuar rëndësinë e dallimit ndërmjet pretendimeve të bëra dhe fakteve të provuara nga gjykata.

Ai ka deklaruar kështu gjatë një takimi me kongresistin republikan amerikan Mike Lawler në kuadër të qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara me rastin e sesionit të 81-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Reklamë

Kurti tha se pretendimet për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve nuk ishin pjesë e aktakuzës ndaj katërshes së UCK-së. Sipas tij, këto pretendime kishin ndikuar në krijimin e narratives që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara.

Gjatë takimit me Lawler, që është anëtar  Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetar i Nënkomisionit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Kurti përmendi edhe rrëzimin e akuzave për krime kundër njerëzimit.

“Kryeministri tha se pretendimi për ‘Shtëpinë e Verdhë’ dhe trafikimin e organeve, mbi të cilin u krijua pjesa dërrmuese e narratives që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte fare pjesë e aktakuzës, sikurse ra edhe pretendimi për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullatës civile”, thuhet në një njoftim të qeverisë për këtë takim të Kurtit. “Kryeministri Kurti theksoi se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë. Ndërsa shtoi se shqetësuese mbetet jotransparenca e Gjykatës Speciale që nga nisja e punës së saj e deri sot, si dhe dënimet e rënda pas vendimit që lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike”.

Gjatë takimit me Lawlerin, Kurti e falënderoi atë për anëtarësimin në Kaukusin për Çështjet Shqiptare, e po ashtu edhe për bashkë propozimin e rezolutës në mbështetje të integrimit të Kosovës në NATO.

“Kryeministri tha se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i rëndësishëm i Kosovës. Ai shprehu gatishmërinë për rifillimin e Dialogut Strategjik ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Ai po ashtu bën të ditur se dy bashkëbsieduesit  diskutuan për sigurinë, energjinë, investimet, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin në mbrojtje.

Në këtë takim mori pjesë edhe deputeti Shaip Kamberi. Kurti ngriti çështjen e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfaqësimin e tyre institucional dhe pasivizimin e adresave.

Në fund, siç thotë njoftimi nga kryeministria, Kurti e ftoi kongresistin Lawler ta vizitojë Kosovën me një delegacion të Kongresit amerikan.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.