Seanca parlamentare e kësaj të enjteje nisi me debate. Shkak u bë kërkesa e Partisë Demokratike për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen e zëvëndëskryeministres Belinda Balluku.
Në nisje të seancës kryeparlamentari Niko Peleshi, bëri me dije se interpelanca nuk mund të zhvillohet pasi çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata kushtetuese.
“Objekti është aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkesa për interpelancë urgjente sipas parashikimit kushtetues, nuk është pranuar se çështja është aktualisht në Gjykatën Kushtetuese. Është ky organ që do të japë një interpretim përfundimtar mbi kompetencat dhe ndarjen e pushteteve mes institucioneve. Çdo përpjekje për të nxjerrë një vendim politik para se të përfundojë shqyrtimi kushtetues mund të cënojë parimet e pavarësisë së institucioneve”, tha Peleshi.
Përgjigja e Peleshit solli reagimin e ashpër të opozitës. Në emër të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi jo vetëm kërkoi praninë e kreut të qeverisë në parlament por edhe akuzoi atë se ka marrë në mbrojtje Ballukun.
“Një njeri që flet nga mëngjesi në darkë për këtë çështje, i fshihet deputetëve dhe llogaridhënies. Në këtë rast fshihet pas një shkresë tuajën që thoni s’mund të shqyrtoni shkresën e Gjykatës Kushtetuese. Ç’punë ka kryeministri që shndërron institucionin në zyrë avokatie ndaj një të pandehure. Pse do duhet kryeministri të bëhet palë në një çështje ku nuk është palë”, tha Bardhi.
Në debat u përfshinë dhe deputetë të tjerë opozitarë, të cilët përgjigjen e morën nga shefi i deputetëve socialist, Taulant Balla.
“Nuk ka më, duhet të jepni llogari. Rama çdo ditë kërcënon me broçkulla. Tani ka nisur edhe ministri i drejtësisë me postime, duke folur për ndarje pushtetesh. Kujtohet që ka bërë një takim me një ministër italian para 2 muajsh. Ju ka ardhur fundi”, tha deputeti Agron Shehaj, Partia “Mundwsia”.
“E dëgjoj shpesh këtë deputetin, që për t’u bërë interesant për rrjetin e tij social, bërtet. Dhe kujton se është interesant edhe kur ia fut kot. Se po u pendua Lul Basha do tregojë se sa para i ke dhënë për të marrë mandatin në 2017… Kujdes se mos të bën të penduarin Luli”, tha Balla.
Me 74 vota kundër dhe vetëm 17 vota pro, Kuvendi rrëzoi kërkesën e opozitës për debat në parlament lidhur me çështjen e numrit dy të qeverisë Belinda Balluku.





