Banka e Shqipërisë konstatoi se çmimet mesatare të banesave në rang vendi u rritën me 42% në 6-mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në kryeqytet rritja rezulton me 32%. Ndërsa koha mesatare e shitjes së një prone u rrit në rrethe, por u ul në zonat bregdetare.

Eglent Bici, agjent imobiliar, i ftuar në emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus, komenton se tregu në tërësi ka një rritje çmimesh, por sipas tij kjo rritje është më shumë formalizim dhe efekt i nënvlerësimit të euros.
“Rritje çmimesh ka dhe kjo është evidenteve nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Por unë mendoj se shifrat e investimeve në këtë sektor janë të rritura edhe si pasojë e nënvlerësimit të monedhës europiane. Nga ana tjetër ka një tendencë të tregut për të blerë dhe për ta regjistruar pronën me çmimin real të tregut. Nuk jemi më si dikur që dominonte zytarizimi i deklarimit të çmimit minimal fiskal në Kadastër. Janë këto dy arsye që kanë dhënë ndikim në rritjen e shifrave në tregun e Real Estate”, u shpreh Bici në Vizion Plus.
Por të dhënat që vijnë nga Banka e Shqipërisë janë që investimet e huaja po udhëhiqen nga investimet në prona të patundshme. Të dhënat vjetore flasin se në 2024 investimi në këtë treg arriti në 380 mln euro.

Edhe të dhënat si 6-mujorë flasin se në këtë pjesë të parë të vitit, shuma e investimeve në këtë fushë arriti një shifër rekord prej 253 mln euro. Agjentët e fushës thonë se ka një tendencë të rritjes së tregut të luksit.
“Ne shohim që janë miratuar projekte elitare kryesisht në jug të vendit, janë projekte edhe me fusha golfi. Turistët do të vijnë të shijojnë të gjitha elementet që do të ofrohen në këto projekte. Ne shohim që shqiptarët tanë të diasporës, që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në shtete të ndryshme të botës, e kanë një standard jetese. Pra kategoria që ka shfaqur interes për turizmin e luksit janë shqiptarët tanë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Një afat 4-5 vite të mëtejshme vlerësoj se ky lloj tregu do të jetë në fokus të investitorëve”, sqaroi Bici.
Sa i përket çmimeve në Tiranë, sinjalet që vijnë nga tregu janë që ka një stopim të tyre. Qytetarët po hezitojnë edhe për shkak të fushatës së rivlerësimit të njoftuar se do të nisë në janar 2026.
Ndërsa pritshmëritë për zonat bregdetare janë që çmimet do të vijojnë rritjen thuajse me 10% çdo vit. /vizionplus.tv





