Nga afro 246 mijë zarfe të dërguara votuesve në diasporë, emigrantët kanë tërhequr deri në këtë moment rreth 154 mijë të tillë, ndërsa pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur 12 % e dërgesave me fletë të plotësuara.
“Kanë mbërritur deri tani në KQZ 19.025 zarfa votimi, deri në fund të ditës do të jenë 22 mijë, që përbëjnë 12.5% të votuesve. Problematika me shpërndarjen e zarfave të votimit është më e madhe në Greqi, sipas raportimeve, ku kemi kontaktuar kompaninë për ta pasur në vëmendje situatën”, tha kryekomisioneri Ilirian Celibashi.
Por si i përgjigjet KQZ, emigrantëve të cilët publikojnë votën e tyre në rrjetet sociale dhe a konsiderohet ky një standard i dyfishtë, në krahasim me votuesit vendas?
“E ribëjmë me dije dhe njëherë se fotografimi i votës dhe ajo çka po bëjnë ata në rrjetet sociale, në gjykimin tim, përbën një vepër penale, por nuk jam unë autoriteti që vendos për këtë çështje. Unë e shoh si një veprim që e klasifikoj si vepër penale. Është i ndaluar rreptësisht publikimi i votes”, tha Celibashi.
Kreu i KQZ konfirmoi se është në komunikim të vazhdueshëm më SPAK, si dhe ka një numër procedimesh që po ndiqen, bazuar edhe në denoncimet e subjekteve zgjedhore./vizionplus.tv





