Siç u paralajmërua, në samitin e Brdo nuk u njoftua ndonjë përparim në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit.

 

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, përsëri për shkak të vetos së Bullgarisë, nuk dihet se kur do të mund të nisin, siç quhen, bisedimet në rang konference me BE-në.

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj, i ftuar në studion e lajmeve në “Vizion Plus”, deklaroi se pritshmëria e madhe për një presion të përqendruar mbi palën bullgare, me qëllim përcaktimin e datës së Konferencës së Parë Ndërqeveritare, nuk u realizua.

 

“Shpresa vdes e fundit, por pritshmëria e madhe ishte që të kishte një ndryshim rrënjësor në qendrimet e përbashkëta të BE. Shpresa jonë e madhe ishte që këtë herë të kishte një presion të koncentruar mbi palën bullgare, që të paktën të bihej dakord në një marrëveshje të pjesshme që do të mundësonte afrimin dhe përcaktimin e datës së Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi. Rrjedhimisht, kryeministri u fokusua në ato tre pikat kryesore që prezantoi: 1. Nevojën për riaktualizimin dhe zbatimin e planit të investimeve për Ballkanin Perëndimor.

2.Mbështetja me bashkimin dhe përafrimin e kurrikulave me universitetet evropiane.

3.Ritheksimi i nevojës për t’i hapur një dritë jeshile dhe për të pasur një impresion pozitiv sa i përket ‘Ballkanit të Hapur’.

Shqiptarët janë tërësisht të legjitimuar në zhgënjimin e tyre. Sepse ka pasur shumë kohë një presion të brendshëm.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *