Biznesi kërkesa për Paketën Fiskale: Kujdes me tatimin e pagës minimale dhe transparencën për TVSH e ushqimeve

Shoqatat e Biznesit kanë paraqitur disa kërkesa për qeverinë, që ato të merren parasysh para se Paketa Fiskale të miratohet të enjten, nen për nen, në Parlament.
Biznesi thotë se duhet të garantohet që paga minimale të mbetet e patatueshme dhe të rishikohet mënyra e llogaritjes së tatimit mbi pagat e tjera të ulëta.
Po ashtu, biznesi kërkon transparencë dhe monitorim për uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar në 6%, për produktet e shportës.
“Çmimet e të njëjtave produkte të shportës, të krahasohen me nivelin përpara ndryshimit, me raportim publik mujor gjatë gjashtë muajve të parë dhe me një vlerësim të posaçëm pas tre dhe gjashtë muajsh”, thuhet në letrën e Shoqatave të Biznesit drejtuar qeverisë.




