Subscribe

Gjykata ka vendosur masën burg pa afat për Sebastian Malin, i arrestuar së bashku me dajën e tij Viktor Markun për vrasjen e Hekuran Billës.  

Seanca u zhvillua ditën e diele me dyer të mbyllura, ndërkohë avokati i tij Ilir Murati ka kërkuar lirim nga qelia me pretendimin se klienti i tij nuk ka lidhje me ngjarjen. Duke u nisur nga faktet dhe provat që ka paraqitur organi akuzës, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë duke e lënë në qeli të akuzuarin.

Mali përpara grupit hetimor u shpreh pas arrestimit se ka qenë duke kaluar në zonë për të blerë një bluzë në një qender tregtare dhe për të parë një vajzë dhe nuk është përfshirë në atentatin ndaj 40-vjeçarit.

I riu ka thënë se nuk e njihte nga afër Billën edhe pse e dinte se para shumë vitesh ai i kishte vrarë dajën e tij në Angli.

Por në provat e mbledhura nga Prokuroria dhe nga kamerat e sigurisë duket se Sebastian Mali vëzhgoi gjatë lëvizjet e shënjestrës. Ai e priti te kryqëzimi që të çon te qendra tregtare dhe në momentin që Hekuran Billa futet, i riu akuzohet se ka sinjalizuar atentatorët që dy minuta më pas e ekzekutuan.

Autorët përdorën në vrasje një mjet tip Mercedez që rezultoi i vjedhur dhe pas ngjarjes ai u gjet i djegur në Pezë.

Jo vetëm kaq, por Mali është filmuar nga kamerat e sigurisë që e ndjek viktimën edhe më heret në një hotel në zonën e Unazës së Re.

Po nga dosja e Prokurorisë mësohet se Mali ka udhëtuar në Shkodër ku ka lënë makinën e tij tip Smart në një servis dhe më pas ka marrë një makine tjetër tip Nissan Micra.

Në lidhje me këtë vrasje mafioze, dy ditë më parë u arrestua edhe Viktor Marku, i cili është i akuzuari kryesor i policisë që ka qëlluar mbi Billën, pasi ky i fundit në 2006 në Angli i vrau vëllanë, Prel Markun.  

Marku u arrestua në Mal të Zi, ndërkohë që në sistemin TIMS ai fuguronte në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *