Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden (Joe Biden), të mërkurën pasdite ka arritur në Dublin, pas vizitës në Belfast, ku më parë tha se e ardhmja e ndritur për Irlandën e Veriut “sapo ka filluar”.

 

Presidenti amerikan premtoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, gjatë shënimit të 25-vjetorit të Marrëveshjes së të Premtes së Mirë. Marrëveshja e ndërmjetësuar nga SHBA-ja solli paqen në këtë pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, por një krizë e re politike kohët e fundit ka testuar fuqinë e saj.

 

“Na takon ne ta vazhdojmë këtë”, tha Biden, të mërkurën, më 12 prill, në një fjalim në Universitetin Ulster.

 

Gjatë vizitës së tij të parë presidenciale në Irlandën e Veriut, Biden theksoi se investimet amerikane mund të ndihmojnë për nxitjen e rritjes ekonomike – veçanërisht nëse politikanët në Belfast rregullojnë problemet që kanë çuar deri te pushimi i punës së qeverisë.

 

“Historia juaj është historia jonë”, tha ai.

 

“Dhe më e rëndësishmja, e ardhmja juaj është e ardhmja e Amerikës”, tha presidenti i SHBA-së.

 

Fjalimi i presidentit Biden kishte të bënte me rrjedhat komplekse politike të Irlandës së Veriut, duke iu referuar origjinës së saj britanike dhe irlandeze, duke përmendur kontributet në Shtetet e Bashkuara të skocezëve kryesisht protestantë, si dhe katolikëve irlandezë si paraardhës të tij.

 

Pjesëmarrja e SHBA-së ishte kyçe për negocimin e marrëveshjes së të Premtes së Mirë, e cila kryesisht i dha fund dekadave të dhunës sektare që vrau 3.600 njerëz, raporton Associated Press (AP).

 

Megjithëse paqja ka mbijetuar, Irlanda e Veriut aktualisht nuk ka një qeveri funksionale. Puna e Stormont – Parlamenti i Irlandës së Veriut – është pezulluar që kur Partia Unioniste Demokratike (DUP), e cila përbën gjysmën e qeverisë, e braktisi atë një vit më parë, për shkak të kontestit tregtar pas Brexit-it.

 

Përveç kësaj, një zyrtar i lartë i policisë u plagos në muajin shkurt, në një sulm, për të cilin autoritetet fajësuan disidentët e Armatës Republikane të Irlandës, që kundërshtojnë procesin e paqes.

 

“Armiqtë e paqes nuk do të fitojnë”, tha Biden.

 

Orari i presidentit Biden, të mërkurën filloi me pirjen e çajit me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak. I pyetur se çfarë do t’u thoshte liderëve të pesë partive kryesore politike të Irlandës së Veriut, kur t’i takonte më vonë gjatë ditës, Biden tha: “Do të dëgjoj”.

Amanda Sloat, këshilltarja kryesore e presidentit demokrat për çështjet evropiane, tha se, ndonëse Biden dëshiron të shohë qeverinë e Stormontit duke funksionuar, ai nuk do të përpiqet t’i detyrojë politikanët e Irlandës së Veriut të kthehen në tryezë.

 

“Qëllimi i vizitës së presidentit sot është të shënojë Marrëveshjen e së Premtes së Mirë, duke vazhduar të riafirmojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për paqen dhe prosperitetin”, tha ajo për AP-në.

 

Largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian e ka lënë Irlandën e Veriut në një pozicion të pakëndshëm midis pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, e cila është anëtare e BE-së, si dhe e ka vënë marrëveshjen e paqes nën presion të shtuar.

 

Pas shumë mosmarrëveshjesh, Britania dhe BE-ja u morën vesh, në muajin shkurt, për të zgjidhur tensionet tregtare. Kjo marrëveshje u mirëprit nga SHBA-ja, e cila i bëri thirrje Londrës dhe Brukselit t’i jepnin fund grindjes pas Brexit-it.

 

Partia Unioniste Demokratike, megjithatë, thotë se Korniza Windsor nuk shkon larg aq sa duhet dhe ka refuzuar të kthehet në qeveri.

 

Biden po kalon më pak se 24 orë në Irlandën e Veriut, përpara se të shkojë në Republikën e Irlandës për një vizitë tre-ditore, duke përfshirë fjalimin në Parlamentin e Dublinit, pjesëmarrjen në një darkë gala dhe udhëtimin në dy qytete të paraardhësve.

 

Ai do të fluturojë për në qarkun e Louth, në bregun lindor të Irlandës, të mërkurën, për të vizituar varrezat, për të parë kështjellën, për të ecur nëpër qendrën e qytetit Dundalk dhe për të marrë pjesë në një takim të komunitetit.

 

Vizita e Biden në Irlandën e Veriut u shoqërua nga një numër i madh policësh, me masa të forta sigurie.

 

Muajin e kaluar, inteligjenca britanike ngriti nivelin nga kërcënimi terrorist në Irlandën e Veriut nga “i rëndësishëm” në “serioz”.

 

Biden tha asokohe se madje as rreziku i shtuar nga një sulm, nuk do ta pengonte atë të shkonte në udhëtim.

 

Biden e vizitoi Irlandën për herë të fundit në vitin 2016, kur ishte nënkryetar i SHBA-së./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *