-Në mjediset e Shkollës së Trupës në Bunavi u zhvillua ceremonia e betimit të rekrutëve që sapo përfunduan Kursin e Stërvitjes Individuale Bazë, si dhe u certifikuan ushtarët që përfunduan Kursin e Stërvitjes Individuale të Avancuar.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në fjalën e saj u shpreh se ishte një kënaqësi krejt e veçantë të ishte e pranishme në këtë ceremoni, si dhe foli për transparencën dhe meritokracinë gjatë këtij procesi.
Ministrja Kodheli u shpreh e kënaqur edhe për përzgjedhjen gjinore ku 5 vajza dhe 182 djem përfunduan me sukses Stërvitjen Individuale Bazë dhe 6 vajza dhe 128 djem në Stërvitjen Individuale të Avancuar. Ajo gjithashtu përmendi edhe kandidatët për nënoficerë të sapocertifikuar.
Në fund të fjalës së saj Kodheli përmendi edhe një herë punën dhe përkushtimin e kuadrove dhe gjithë efektivit jo vetëm për stërvitjen, por edhe për përmirësimin e kushteve të punës, stërvitjes, jetesës dhe pushimit, mjediseve sportive, ato stërvitore dhe i siguroi se mbështetja e saj personale apo e Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë e vijueshme jo vetëm për këtë strukturë, por për të gjithë Forcat e Armatosura.
Komandanti i Shkollës së Trupës, kolonel Ilir Dauti, ia kushtoi ceremoninë ushtarëve të rinj të rreshtuar.
Shkolla e Bunavisë që prej krijimit të saj në vitin 2003, ka trajnuar me programin e stërvitjes Bazë dhe të Avancuar, por edhe ka testuar dhe certifikuar, mbi 20 mijë ushtarë aktivë, kadetë, nënoficerë dhe oficerë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.





