Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se 20 shkurti ishte një ditë triumfi për protestuesit e opozitës. Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha theksoi se protesta tregoi se opozita është në këmbë përballë qeverisë.
“Dje ishte ditë triumfi për kryengritësit paqësorë të pamposhtur, të cilët u përballën dhëmb për dhëmb 3 orë me narkoshtetin në një betejë epike kundër qeverisë së paligjshme të Tiranës, kundër Edi Ramës, Lubi Ballukut”., tha kryetari i PD, Sali Berisha.
Berisha akuzoi forcat e policisë për përdorim të dhunës gjatë protestës.
“Dënoj me forcën më të madhe dhunën dhe terrorin policor. Dënoj gjuajtjen me seleksion të qytetarëve me bombola gazi, pas koke njërit prej tyre, në gjoks nënkryetarit të PD dhe deputetit të PD, Luçiano Boçi, dhe të tjerëve me mjete me gaz, me plumba gome, etj. Garantoj Edi Ramën se për të gjitha këto do të jetë përgjegjës.”
Sipas Berishës, një pjesë e qytetarëve që janë shoqëruar nga policia pas protestës as nuk kanë marrë pjesë në tubimin e opozitës. Kryetari i PD, Berisha, akuzoi forcat e policisë se hodhën gaz lotsjellës edhe brenda ambienteve të Xhamisë së Namazgjasë.
“Vendosëm që ne nuk do të zhvillojmë asnjë protestë në territorin apo paralel me territorin e xhamisë, në mënyrë që të mos ketë asnjë shkak për hedhjen e gazit dhe prishjen e namazit të besimtarëve myslimanë. Pavarësisht nga kjo, drejt xhamisë u hodhën bomba tymuese dhe gaz lotsjellës sa asnjëherë tjetër. Tarracat e xhamisë u mbushën me banditë dhe patronazhistë me uniformë, që është përdhosje për vakëfin.”
Berisha preferoi të mos thotë datë për protestën tjetër, por sipas tij ajo do të zhvillohet shumë shpejt.
/vizionplus.tv





