Një ditë para protestës kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, kryetari i PD, Sali Berisha, u bëri apel qytetarëve t’i bashkohen opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Në një konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se e shtuna është dita kur do të flasin qytetarët.
“Nesër qytetarët, populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit të këtij kombi. I bën gjyqin kryeministrit të lidhur kokë e këmbë me vrasës, banditë, trafikantë. I bën gjyqin antishqiptarit më të zi të kohërave që ka përzënë nga ky vend në 10 vite 1 milion e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën evropiane, pa llogaritur hapësira të tjera”, tha Berisha.
Sipas kryetarit të PD, Sali Berisha, qytetarët duhet të ngrihen kundër korrupsionit të kryeministrit Edi Rama, numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku, dhe figurave të tjera të qeverisë, pasi protesta është e vetmja rrugë. Për të mbështetur këtë tezë, Berisha deklaroi se edhe seanca e djeshme në Gjykatën Kushtetuese për masën e sigurisë të vendosur ndaj Belinda Ballukut tregoi se të gjitha institucionet, Presidenti i Republikës, Parlamenti dhe Qeveria, u rreshtuan kundër SPAK-ut.
“Nuk ka ditë më të turpshme për atë gjykatë, për këto institucione turpi se dita e djeshme. Edi Rama, Niko Peleshi dhe Haram Begaj u vunë në rresht pas Lubisë për të mbrojtur vjedhjet e saj, vetëm e vetëm për shkak të vjedhjeve të tyre, të cilat janë në ato proporcione sa i bën ata ta kenë të qartë se do kenë fatin e Lubisë”, tha Berisha.
Gjatë komunikimit me gazetarët, Berisha preferoi të mos japë detaje për skenarin e protestës pasditen e të shtunës.
“Do t’i japim mësimin që meriton qeverisë, kështu do ta cilësoj unë protestën, qytetarët do ti japin leksion të fortë qeverisë. Le të rrijë në zyrë ta provojë. Kaq i them, rri aty. Muret i ke blinduar, dyert i ke plumbosur, rri e shko futu, rri në je burrë”, tha kreu i PD.
Prej kohësh, kryetari i PD-së, Sali Berisha, i mëshon idesë që protestat do të jenë aksioni kryesor i opozitës, që nuk do të ndalen deri në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.





