Berisha ultimatum Edi Ramës: Dorëheqja kusht i kushteve që Shqipëria të rigjejë paqen
Protesta që pritet të mbahet në datën 22 dhjetor, është cilësuar si një ultimatum për të larguar kryeministrin Edi Rama nga Sali Berisha.
Në një bashkëbisedim me qytetarët online, kryedemokrati ftoi qytetarët që t’i bashkohen.
“Nga protesta e të hënës, qytetarët shprehin revoltën e tyre dhe japin ultimatum Edi Ramës. Edi Rama duhet të largohet. Dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve që Shqipëria të rigjejë paqen që meriton”, tha Berisha.
Tubimin e së hënës, Berisha e cilësoi vetëm sinjalin e parë duke paralajmëruar dhe lëvizje të tjera.
“Kemi të drejtë të ndërmarrim çdo masë kundër tij për ta nxjerrë nga pushteti. Ai pushtet qëndron mbi farsën dhe jo votën. A do shkojmë ne drejt saj. Absolutisht po. Ne jemi në një diktaturë, ne duhet të realizojmë se jemi në një diktaturë”, tha kreu i PD.
Madje ftoi dhe forcat e tjera politike opozitare.
“Unë përshëndes zotin Lapaj që proteston aty, jep shembull personal. Jemi të hapur ndaj partisë së tij, jemi të hapur ndaj partisë së zotit Shehaj, por ambiguiteti i tyre dhe krahasimi që bëjnë midis PD dhe PS, midis Edi Ramës dhe Sali Berishës, dëshmon se janë në një pozicion opozite e opozitës”, tha Berisha.
Për qytetarët, kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se opozita tashmë nuk po merr të drejtat që i takojnë në parlament dhe kjo vjen vetëm për shkak të shumicës.




