Subscribe

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha u shpreh këtë të martë se Shqipëria në këto tetë vite ka ngecur në vend numëro dhe se kryeson listën e vendeve që kërkojnë strehim në Evropë.

Sipas Bashës, 25 prilli do të jetë një ditë për fitoren e shqiptarëve dhe aspiratës evropiane, teksa premtoi se brenda gjashtë muajve të parë të qeverisjes, do të bëjë realitet Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

“Shqipëria në këto 8 vite ka ngecur në vend. Shqipëria sot kryeson listën e vendeve që kërkojnë strehim në Europë. 25 Prilli është një ditë për fitoren e Shqipërisë, shqiptarëve dhe të aspiratës tonë Europiane. Brenda 6 muajve të parë ne do të bëjmë realitet konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri – BE. Për Shqipërinë Europiane përparësia kryesore, plotësimi i kushteve të BE-së. Injorimi i kushteve çoi në shtimin e tyre. Plotësimi i tyre është detyra e parë.”

Po ashtu, lideri demokrat u zotua se do të promovojë një sistem që garanton drejtësi dhe që ka besimin e qytetarëve.

“Ne do të bëjmë çdo përpjekje që zgjedhjet e 25 Prillit të jenë të lira. Do të mbrojmë votën nga çdo përpjekje kriminale për deformimin e saj. Partia Demokratike dhe unë angazhohemi të mbajmë duart larg nga sistemi i ri i drejtësisë. Do të sjellim një kulturë të re politike në Shqipëri përmes qeverisjes së përgjegjshme. Një sistem i pakapur nga politika, nga oligarkia apo nga krimi. Ne do të promovojmë një sistem që garanton drejtësi dhe që ka besimin e qytetarëve. Luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të merren në shqyrtim procedurat korruptive të PPP-ve, të prokurimeve publike, monopoleve. Skemat e pastrimit të parave do të goditen. Shqipëria do të tërheqë talentin e jashtëzakonshëm të rinisë shqiptare. Shqipëria është e fundit në rajon për kapacitetet e tërheqës dhe përdorimit të fondeve të BE. Në parlament ne do të nxisim frymën e bashkëpunimit.”

Po ashtu, kryedemokrati i shprehu falenderime BE-së për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë për përballimin e pandemisë dhe tërmetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *