Shqipëria do të përjetojë rritjen më të ulët ekonomike gjatë vitit 2023, krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Ky është parashikimi i zymtë që Banka Botërore bën në raportin mbi Perspektivën Ekonomike Globale për këtë vit.

 

Sipas raportit, ekonomia e vendit tonë parashikohet të rritet me vetëm 2.2%, ndërsa Kosova do të ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon në nivelin e 3.7%.

 

 

BANKA BOTERORE

“Ekonomitë e shteteve të vogla pritet të kenë rikuperime të dobëta dhe mund të përballen edhe me humbje të përhershme në sektorin e prodhimit. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, proceset e anëtarësimit dhe investimet e parashikuara nga Bashkimi Evropian pritet të zbusin efektet negative të çmimeve të larta të ushqimeve dhe energjisë. Megjithatë, ekziston një pasiguri e madhe politike, me frikën se mund të krijohen ngërçe parlamentare në zbatimin e reformave dhe vonesa në përthithjen e fondeve të BE-së.”

 

Banka Botërore parashikon në rënie po ashtu edhe rritjen globale ekonomike, e cila pritet të jetë në nivelin e 1.7%, nga 3% që parashikohej 6 muaj më parë.

 

 

BANKA BOTERORE

“Përkeqësimi i treguesve do të jetë me bazë të gjerë duke prekur thuajse gjithë botën. Kjo do të jetë shkatërruese veçanërisht për ekonomitë më të varfra, ku varfëria pritet të thellohet më tej. Pothuajse në të gjitha vendet rritja e të ardhurave për frymë do të jetë më e ngadaltë sesa ishte para COVID-19. Kjo sepse të ardhurat po gërryhen ndjeshëm nga inflacioni. Ngadalësimi i ekonomive do të përkthehet në më pak mbështetje sociale dhe ulje të investimeve në shëndetësi dhe arsim.”

 

Për të përballuar këtë vit të vështirë ekonomik, thirrja e Bankës Botërore shkon për krijimin e më shumë vendeve të punës dhe mbajtjen gjallë të konsumit, duke iu lënë detyrë qeverive të harmonizojnë politikat monetare me ato fiskale për të mbështetur shtresat në nevojë, për të frenuar thellimin e varfërisë dhe për të menaxhuar me maturi nivelin e borxhit publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *