Partia Socialiste e Elbasanit mblodhi Asamblenë e zgjeruar ku u diskutua fillimi i procesit zgjedhor në të gjitha strukturat brenda partisë si dhe ngritja e Forumeve të Debatit Qytetar në të gjitha bashkitë e vendit.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla vuri theksin tek rëndësia e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, sipas rekomandimeve të ODIHR-it dhe, një gjë e tillë, do të bëhet në bashkëpunim me opozitën:

 

“Bashkë me PD dhe me deputetët e opozitës në Kuvend të miratojmë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që adresojnë të gjitha rekomandimet e ODIHR-it nga 2013 e këtej, po ashtu rekomandimet e raportit të fundit.Është një raport që pasqyron në mënyrë realiste atë që ndodhi në zgjedhjet e 30 Qershorit. Zgjedhjet e 30 Qershorit ishin demokratike sepse kuadri ligjor që garanton zgjedhjet u mundësonte të gjitha partive politike të marrin pjesë në zgjedhje.Zgjedhjet quhen demokratike kur çdokujt i garantohet e drejta për të zgjedhur e për tu zgjedhur. Pati një përpjekje nga ana e opozitës për të penguar procesin e zgjedhjeve, por zgjedhjet u zhvilluan konform të gjitha rregullave dhe këto përpjekje dështuan. Detyra jonë tashmë të fillojmë punën në komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore për të garantuar që zgjedhjet e vitit 2021 të zhvillohen me komisione zgjedhore të depolitizuara. Nuk ka nevojë më që partitë politike të numërojnë votat. Numërimi duhet të bëhet nga vullnetarë dhe njerëz të depolitizuar, nuk ka nevojë t’i numërojnë partitë politike.Po kaq e rëndësishme është të garantojmë edhe votën e emigrantëve.” 

 

Balla vlerësoi procesin zgjedhor të zhvilluar në Elbasan në 30 Qershor dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje, duke u renditur si një nga qarqet me pjesëmarrje më të mirë në të gjithë vendin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *