Atentati i dështuar në Lezhë, gjykata lë në burg tre autorët

Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për tre të rinjtë e ndaluar nga policia tre ditë më parë, të dyshuar për përgatitjen e një vrasjeje.
Seanca gjyqësore u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Sipas dyshimeve të hetuesve, Vinçesk Piroli, 38 vjeç, dhe Kristian Ymeri, 34 vjeç, lëviznin me një motor të bardhë, të pajisur me skafandra të zeza dhe të armatosur, në aksin e vjetër rrugor Pllanë–Lezhë, me qëllim ekzekutimin e një personi.
Tre të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Me vendimin e gjykatës, tre të rinjtë do të qëndrojnë në paraburgim gjatë vijimit të procedurave gjyqësore. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar përgjegjësitë e secilit prej të dyshuarve.
/vizionplus.tv




