Një mbrëmje muzikore i dha atmosferë mjediseve të Katedrales “Shën Lucia” në Durrës, ku publiku përjetoi një performancë të rrallë nga artisti i njohur gjerman, Felix Klieser, në instrumentin e kornos, i shoqëruar në piano nga pianistja kosovare Lirika Pula Kasapolli.
E veçanta e koncertit ishte se artisti gjerman e realizoi pjesën jo me duar, por me këmbë.
Pjesë e repertorit ishin disa nga kompozitorët më të njohur të muzikës klasike, si Schumann, Glière, Haydn, Strauss dhe Beethoven.
Felix Kleiser, i njohur jo vetëm për virtuozitetin por edhe për historinë e tij frymëzuese, solli në skenë një interpretim të jashtëzakonshëm që u duartrokit gjatë nga të pranishmit.
Vetë artisti, i vlerësuar me një sërë çmimesh në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës, tha se ndihej i lumtur që mori pjesë në Festivalin e XX Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës.
“Kam qenë në Tiranë disa vite më parë dhe së fundmi mora një ftesë për të ardhur në Durrës dhe thashë pse jo. Nuk e dija që koncerti do të luhej në kishë, ndonjëherë është e vështirë të luash në mjedise të tilla, por është ide shumë e mirë dhe këtu më pëlqeu shumë ambienti, akustika ishte e mrekullueshme gjithashtu. Pashë shumë njerëz entuziastë në këtë koncert dhe më vjen mirë që e shijuan atë”, tha Klieser.
Ky koncert ishte një dëshmi tjetër e fuqisë që ka muzika për të bashkuar kultura dhe për të sjellë art të vërtetë në zemrën e qytetit bregdetar./vizionplus.tv





