Përmes një aksioni të befasishëm, Policia e Korçës, ajo e Vlorës dhe forcat e operacionales kanë kapur paraditen e kësaj të premteje 43-vjeçarin e shpallur në kërkim Ramadan Zoto.
Ramadan Zoto ose ndryshe Ramadan Canaj akuzohet për plagosjen e dy personave gjatë një konflikti më 17 korrik të këtij viti në lagjen nr. 3 të Sarandës.
Lexo edhe :
Related Posts
Në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, ai qëlloi me armë zjarri Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamaj.
Zoto është lokalizuar në qytetin e Korçës teksa lëvizte me një makinë “Audi” dhe ndërhyrja ishte e befasishme.
Forcat e policisë në kuadër të operacionit të koduar “Stuhia”, kanë bllokuar makinën “Audi”, duke nxjerrë nga automjeti Zoton, i cili me vete kishte edhe një pistoletë me fishek në fole, gati për qitje.
Në pranga ka rënë edhe një 50-vjeçar që e strehonte Zoton në qytetin e Fierit dhe e ndihmonte t’i shmangej Policisë, ky i fundit i shpallur më herët në kërkim për armëmbajtje pa leje.
Po në kuadër të këtij operacioni, policia ushtroi kontrolle në banesën në Fier ku strehohej Zoto ku u gjetën dhe sekuestruan: 3 pistoleta, të gjitha me karikator me fishekë, një armë zjarri automatik, një pjesë mekanizmi për silenciator, një dylbi për përdorim në kushte të errësirës, një dron dhe rreth 600 fishekë luftarakë.
Burime pranë uniformave blu, bëjnë me dije se Ramadan Zoto ka qenë në vëzhgim prej mëngjesit ku ai ishte nisur nga kryeqyteti drejt Korçës, ku dyshohet se po organizonte kalimin ilegalisht drejt Greqisë.
Më herët, për plagosjen në Sarandë është arrestuar një tjetër i dyshuar për krimin, Artan Murtaj, 43 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim dhe Erjon Canaj, 36 vjeç dhe Klaus Jaçaj, 31 vjeç.
Shkak i ngjarjes në Sarandë ishte konflikti për zaptimin e një sipërfaqeje toke. Dy të plagosurit nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamaj kishin në posedim një sipërfaqe trualli në Sarandë, përgjatë vijës bregdetare, ngjitur me pronën e dy vëllezërve Canaj. Ata kishin kërkuar takim për të sqaruar konfliktin, por situata degradoi deri në përdorimin e armëve.






