Armë automatike dhe municion në banesë, arrestohet 64-vjeçari në Patos (EMRI)

Një 64-vjeçar është arrestuar në Patos, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij Policia ka gjetur një armë zjarri automatike dhe municion luftarak.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Stacionit të Policisë Patos, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, në kuadër të kontrolleve për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje. Operacioni u kodua “No Guns 4”.
Sipas Policisë, kontrolli në banesën e shtetasit Yzedin Agalliu u krye bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatik dhe fishekë, si prova materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan 64-vjeçarin, i cili akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




